Ndikimi i gabuar i Donald Trump dhe Infantinos në Botëror, Norvegjia përgatit ankesën zyrtare

Federata Norvegjeze e Futbollit po përgatitet të paraqesë një ankesë zyrtare në Komitetin e Etikës së FIFA-s, pas polemikave të mëdha që shpërthyen lidhur me ndikimin e pretenduar të presidentit amerikan Donald Trump në vendimin për pezullimin e dënimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun gjatë Kupës së Botës 2026. Lajmi ka bërë bujë në botën e futbollit dhe ka hapur një debat të madh mbi pavarësinë e institucioneve që drejtojnë sportin më të ndjekur në botë.

Presidentja e Federatës Norvegjeze, Lise Klaveness, ka deklaruar se ndërhyrje të tilla politike përbëjnë një kërcënim serioz për integritetin e futbollit. Sipas saj, rasti Balogun krijon një precedent të rrezikshëm dhe FIFA duhet të garantojë se vendimet disiplinore merren në mënyrë të pavarur dhe transparente, pa ndikime nga jashtë.

Ankesa pritet të diskutohet në mbledhjen e bordit të Federatës Norvegjeze më 6 gusht dhe, nëse miratohet, do t’i dorëzohet zyrtarisht FIFA-s. Klaveness ka kërkuar gjithashtu që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të pranojë publikisht se mënyra se si u trajtua çështja ishte e gabuar.

Kjo është hera e parë që një federatë kombëtare vendos të ndërmarrë hapa të tillë në lidhje me këtë skandal, duke shtuar presionin mbi FIFA-n për të sqaruar plotësisht rrethanat e vendimit dhe për të mbrojtur besueshmërinë e garës më prestigjioze të futbollit botëror. /Sport Ekspres/