Mario Mitaj është pranë kalimit në Serinë A, mbrojtësi i Shqipërisë pritet të kthehet në Europë

Mario Mitaj vazhdon të jetë një nga futbollistët shqiptarë që tërheq vëmendjen e klubeve europiane. Së fundmi, emri i mbrojtësit të kombëtares shqiptare është lidhur me një kalim të mundshëm te Genoa, klubi italian që po monitoron situatën e tij në merkaton e verës.

Sipas raportimeve, drejtuesit e Genoas kanë kërkuar informacione të detajuara për Mitajn, duke konfirmuar interesimin për profilin e 23-vjeçarit. Klubi italian e vlerëson shumë mbrojtësin shqiptar për aftësitë e tij në fazën mbrojtëse dhe kontributin në sulm, si edhe për faktin se mund të luajë në disa pozicione në krahun e majtë.

Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka negociata konkrete mes palëve. Burimet bëjnë të ditur se Genoa e konsideron operacionin të komplikuar, si për aspektin financiar ashtu edhe për kushtet që kërkon klubi që zotëron kartonin e futbollistit.

Për momentin gjithçka mbetet në fazën e interesimit dhe mbledhjes së informacioneve. Drejtuesit e Genoas nuk kanë bërë ende një ofertë zyrtare dhe nuk ka kontakte të avancuara për transferimin e Mitajt.

Merkatoja, gjithsesi, është ende e hapur dhe situata mund të ndryshojë në javët e ardhshme. Nëse kushtet bëhen më të favorshme, Genoa mund të vendosë të kalojë nga interesimi fillestar në bisedime konkrete për të siguruar shërbimet e mbrojtësit shqiptar. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/