“Naubueze nuk është pjesë e Laçit, ka prerë biletën për…”! Duro zyrtarizon largimin dhe tregon penalltinë: U çudita kur pash Lushkjan

0

Laçi ka arritur që të mposht Kukësin në shifrat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 31 të Superiores. Kurbinasit e nisën takimin duke gjetur menjëherë avantazhin pas gabime fëmijnore që vijnë në mbrojtjen e Kukësit. Pas penalltisë që u akordua, Lushkja do të gabonte fillimisht në ekzekutim. Xhika arriti që të priste topin e goditur nga 11-metrat, por do të ishte sërish Lushkja që e dërgoi sferën në rrjetë.

Te Kukësi pati shumë pretendime se penalltia duhet të përsëritej pasi lojtarët hynë në zonë përpara kohe. Megjithatë goli do të cilësohej si i rregullt dhe do të ishte sërish Lushkja që në minutën e 32 shënoi kryeveprën nga distanca për të gjetur cepin e rrjetës.

Mirel Josa u ul në stol për ta quajtur një tjetër ndeshje të mbyllur me humbje. Pavarësisht se Kukësi e ngriti nivelin e lojës në pjesën e dytë dhe meritonte të paktën një gol në këtë sfidë, fakti është se verilindorët kanë humbur në tre takimet e fundit kundër Partizanit, Teutës dhe Laçit. Pretendentët për titullin po e gjejnë rrugën e hapur kundër Kukësit dhe pas kësaj fitore Laçi kthehet sërish në diskutimin e titullit kampion. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Duro (Laçi): “Kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne, duke parë se ku ka mbërritur kampionati. Kukësi është cilësor dhe në këto momente na duhej fitorja. I lamë terren Kukësit? Ka të bëjë edhe kalendari i ngjeshur apo temperaturat e larta. Kishim fat që kaluam shpejt në avantazh. E kisha orientuar ekipin pasi shënuam dy golat e para që të rrinim në gjysmëfushën tonë dhe ta kundërsulmojmë. Ju e keni parë vetë që kishim mundësi për ta dërguar rezultatin në shifra më të thella. Ne kemi bilanc të mirë me ekipet kryesore të titullit. I qaj pikët me ekipet e vogla. Vetëm me Kastriotin, Skënderbeun dhe Apoloninë kemi humbur 15 pikë. Prandaj e kërkoja Nuabuezen në nivelin më të mirë pasi i zgjidhte këto lloj ndeshje. Penalltia e goditur nga Lushkja? U çudita edhe unë që e goditi Lushkja se e ekzekuton Mazrekaj. Po Mazrekaj nuk e mori penalltinë se kishte probleme me këmbët. Mungesa më e madhe ka qenë Nuabueze, i cili nuk është më pjesë e jona. Ka prerë biletën për në Amerikë, nuk është pjesë e skuadrës. Nëse do të ishte ai, jam i bindur që do të shënonte 20 gola, ka qenë një minus i madh mos prezenca e Nuabuezes në kampionat”.

Mirel Josa (Kukësi): “Lojtarët duhet të jenë më të përgjegjshëm. “Play-Out”? Nuk e kam menduar asnjëherë. Mendojeni pak se çfarë do të ndodhte po të mos fitonim ndaj Kastriotit dhe të mos barazonim me Tiranën. Unë kërkoja që të mblidhnim sa më shumë pikë, por kjo nuk po ndodh. Duhet të jemi më të përgjegjshëm kur dalim para porte dhe t’i shfrytëzojmë mundësitë që ne krijojmë. 42 golat që ne kemi pësuar janë të papranueshme për një ekip si i joni, me këto objektiva. Për më tepër edhe mënyra sesi i kemi pësuar është problemi më i madh”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.