Napoli është kthyer te fitorja në Serie A, duke mundur 5 – 1 Empolin në “San Paolo”. Skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti ishte dominuese gjatë të gjithë takimit dhe me këtë fitore çon përkohësisht diferencën me kryesuesit e Juventusit në tri pikë.
Lorenco Insinje zhbllokoi takimin në minutën e nëntë, ndërsa Mertens thelloi avantazhin e napolitanëve në minutën e 38-të. Kaputo ngushtoi diferencën në minutën e 58-të, por nuk do të vononte përgjigja e të zotëve të shtëpisë. Do të ishte sërish Mertens që do të gjente rrugën e rrjetës me një goditje mjaft të bukur nga jashtë zone. Milik çoi shifrat katër më një në minutën e 90-të, ndërsa një kundërsulm model u finalizua sërish nga Mertens, në minutën e fundit të takimit.
Elseid Hysaj luajti për 90 minuta në këtë takim, por jo në pozicionin e tij të preferuar. Shkodrani u aktivizua si mbrojtës i majtë, ndërkohë që në krahun e djathtë luajti francezi i ardhur nga Lila, Kevin Malkyit. Krahu i majtë nuk është diçka e re për Hysajn, i cili ka luajtur shpesh në atë rol kur luante me Empolin.
https://twitter.com/zwode_/status/1058471065763147776