Nallbani: Partizani i “uritur”, titullin e ka shumë pranë

Blendi Nallbani është një nga ata lojtarë që në të shkuarën ka veshur fanellën e Partizanin dhe Tiranës, madje edhe duke fituar trofe me të dyja klubet. Të kuqtë mund të fitojnë këtë sezon titullin kampion, që u mungon që nga sezoni i largët 1992-1993. Nesër skuadra e Skënder Gegës përballet me Kukësin dhe do të kërkojë të ruajë të paktën diferencën prej 9 pikësh që ka me rivalin direkt.

Ish-portieri, në lidhje me situatën në klasifikim dhe sfidën e nesërme, për “SportEkspres.com” deklaron: “Lufta për titullin kampion nga kjo ndeshje do të zbardhet edhe më shumë. Një fitore e Kukësit e mban në lojë, ndërsa barazimi i jep më shumë shanse skuadrës së Partizanit. Natyrisht që kjo merr edhe ngjyrat e një kryendeshjeje, pasi përballen dy skuadrat më të mira të Kategorisë Superiore”.

Nallbani, si ish-portier i Partizanit në sezonin 2001-2002, kujton fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe thekson se të kuqtë janë më të uritur për të fituar. “Në sezonin 2001-2002 Partizani ka fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë, me trajner Sulejman Memën. Unë kam qenë në portën e Partizanit në atë sezon, e duke qenë një periudhë kaq e gjatë për një skuadër të madhe, e shikoj Partizanin më të të uritur për trofe. Titullin kampion e ka shumë pranë, sido që të dalë në sfidën me Kukësin”.

AGRON KAJA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *