Naftëtari nis nga puna, Fraholli është trajneri

0

Kryebashkiaku Kapllani ka përzgjedhur stafin teknik dhe tashmë kuçovarët pritet të zbresin në fushën e blertë

Edi Spahiu

Ashtu sikur ishte parashikuar, edhe për shkak të kohës së limituar që kishte mbetur në dispozicion të përgatitjeve të skuadrës për sezonin e ri, skuadra e njohur e Naftëtarit më në fund ka mësuar zyrtarisht edhe emrin e teknikut të ri. Ai do të jetë një ish-futbollist i njohur i Naftëtarit dhe kampion i vendit me Teutën, si dhe anëtar i ekipit tonë kombëtar. Bëhet fjalë për Brajan Frahollin, i cili do të ketë në krahë të tij si ndihmës një tjetër emër të njohur, ish-kapitenin e skuadrës kuçovare, Arti Banin. Fraholli ishte aktualisht pjesë e Naftëtarit, por në rolin e sekretarit të klubit. Ai e ka drejtuar edhe më parë ekipin dhe tashmë bëhet sërish “timonier” i kuçovarëve.

KRYEBASHKIAKU KAPLLANI – Pas emërimit të Frahollit në krye të skuadrës, kryebashkiaku Kapllani ka thënë edhe fjalët e para për vendimin e marrë, që ai e konsideron të duhurin. “Kam qenë shumë i qartë dhe i vendosur për këtë emërim, sepse bëhet fjalë jo vetëm për një figurë të njohur dhe me shumë integritet në futbollin kuçovar, por edhe për një trajner me shumë aftësi dhe përkushtim profesional. Mbi të gjitha është një njohës mjaft i mirë i ambientit brenda dhe jashtë skuadrës dhe gëzon besimin tim të plotë, por dhe të sportdashësve. Duke i uruar suksese teknikut Fraholli dhe ndihmësit të tij Bani, unë shpreh bindjen time që kam bërë përzgjedhjen e duhur, duke vendosur në krye të Naftëtarit një specialist kuçovar, sepse kishte ardhur koha që t’i jepej fund eksperimenteve me trajner të jashtëm, që vetëm sa shikonin interesat e tyre”, ka mbyllur deklaratën e tij për “Sport Ekspres” presidenti Kapllani. Burime nga klubi kuçovar kanë bërë me dije se nesër në ora 17:00, në ambientet e stadiumit “Bashkim Sulejmani” do të prezantohet teknikut i ri dhe ndihmësi i tij. Në të njëjtën kohë skuadra do të nisë zyrtarisht nga puna për sezonin e ri futbollistik.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.