Sokol Mziu ka shënuar golin e vetëm të Kastriotit në kampionat, duke siguruar tre pikë në Gjirokastër, por krutanët i kanë humbur dy ndeshjet e fundit dhe presioni po rritet. Këtë gjë e pranon edhe “senatori” i Kastriotit, i cili e pranon se pengesa më e madhe në Superiore është pikërisht tensioni dhe frika nga dështimi, duke parë rivalitetin e madh në një kampionat me 10 ekipe, ku dy bien nga kategoria, ndaj llogaritë dalin vetëm nëse merren pikë. Për “Sport Ekspres”, Mziu analizon ecurinë në tre javët e para, duke mos e konsideruar të keq fillimin me 3 pikë në 3 ndeshje.
– Mziu, tre pikë në tre ndeshje, do ishin të kënaqur nëse ua thoshin para fillimit të sezonit?
– Duke parë kalendarin dhe skuadrat që kishim përballë, në fillim të sezonit do ishim të kënaqur me 3 pikë ne 3 ndeshjet e para, sepse përballë kishim ekipin kampion, si dhe dy ekipe pjesëmarrëse ne kupat e Evropës.
– Fillimi i shkëlqyer në Gjirokastër u pasua nga dy humbje ku jeni dukur shumë të ndrojtur. Mos ndoshta e keni marrë pak si shumë me frikë Superioren?
– Fillimi ishte shumë i mirë, morëm maksimumin në Gjirokastër, por Skënderbeu na uli me këmbe në tokë, edhe për shkak të gabimeve tona. Megjithatë, me frikë nuk e kemi marrë Superioren, ne jemi një grup shumë i mirë dhe lojtarë që kanë luajtur në Superiore.
– Humbja kundër Partizanit, a keni ndonjë keqardhje? U duk si një ndeshje e fjetur, me pak raste, ku ndoshta mund të kishit guxuar më shumë.
– Ndeshja me Partizanin ishte me dy tablo; një pjesë e parë për t’u harruar edhe një pjesë e dytë shumë e mirë, ku e vumë shumë herë në vështirësi Partizanin. Provuam, por nuk arritëm të merrnim një pikë.
– Skuadra është e re në moshë, në një pjesë të madhe të saj. A ndikon mungesa e eksperiencës?
– Skuadra nuk është edhe aq e re në moshë, kemi çuna të rinj, por edhe lojtarë me eksperiencë, që janë ndërthurur dhe bashkë bëjnë një moshë mesatare tek 26/27 vjeç. Nuk mungon eksperienca, do thosha që është pak ajo ndrojtja e fillim sezonit ku çdo ekip synon te futet në shinat e kampionatit që të marrë sa më shumë pike në fillim.
– Faza sulmuese e skuadrës duket se çalon, mos ndoshta ndihet mungesa e një njeriu gol përpara dhe a po bën mjaftueshëm skuadra për të prodhuar raste për shënim?
– Ne kemi lojtarë shumë të mirë në sulm dhe shumë shpejt edhe ata do e kalojnë ngërçin. Raste kemi krijuar, kemi pasur 3/4 raste në Gjirokastër, po aq me Skënderbeun. Edhe me Partizanin kishim raste. Është thjesht një moment që besoj do kalojë shumë shpejt edhe sulmi do shënojë.
– Sfida e radhës është një nga ato që quhen finale të vogla, në Kamzë. Si e gjykoni ndryshimin në stol të Kamzës, një avantazh për ju?
– Të gjitha ndeshjet për ne janë si finale, sepse ne nuk e kemi luksin të nënvlerësojmë asnjë ekip. Ndeshja me Kamzën do duhet të jetë pika e kthesës për ne, mbas dy humbjeve. Do japim maksimumin për të marrë 3 pikë.
– Mos ndoshta presioni i tepërt për pikë nuk i lejon skuadrat të shprehen si duhen në aspektin e lojës, përfshirë edhe ju?
– Kjo është e vërtetë, e thashë edhe më lart se çdo ekip në këtë fillim sezoni dëshiron të marrë sa më shumë pikë. Asnjë ekip nuk do që të humbasë, prandaj edhe ekipet nuk shprehen ashtu siç i kanë kapacitetet, thjesht luajnë për pikë.