Muzaka-Shehi me probleme, kthehet Mici

Skënderbeu humbi ndeshjen në Laç, por duket se ka humbur edhe dy titullarë të rëndësishëm. Bëhet fjalë për kapitenin Orges Shehi dhe mesfushorin Gjergji Muzaka. Të dy u larguan nga fusha në pjesën e dytë për shkak dëmtimi. Një ditë pas ndeshjes së fundit mësohet se Muzaka ka kryer një seancë individuale, kurse portieri  Shehi nuk ka kryer stërvitje, sepse ka pasur dhimbje në pjesën e mesit. Shehi ka rrezikuar shumë, pasi ende nuk ishte në 100% të formës së tij optimale. Për të dy lojtarët pritet të vendoset nesër në lidhje me transfertën e Lushnjës, por gjasat janë që ata të mos rrezikohen, duke qenë se edhe ndeshja është më e lehtë. Kështu, mund të shtohen edhe më shumë “hallet” për trajnerin Ilir Daja në këto javë të fundit. Deri në momentin që të sigurohet titulli kampion matematikisht, ai e do grupin të plotë, por në këtë moment është i detyruar të vuajë mungesat.

Kthehet Mici, pritet Osmani

Një ditë pas ndeshjes në Laç, trajneri Daja i ka nxjerrë menjëherë në stërvitje të tijtë. Nëse skuadra do ta kishte fituar ndeshjen e fundit, dje mund të ishte pushim, por, duke parë edhe kohën e shkurtër të përgatitjeve, Skënderbeu dje ka zbritur në fushë, pasi të mërkurën duhet të jetë gati. Në ndeshjen e radhës kthehet mbrojtësi Gledi Mici, i cili në Laç ishte i skualifikuar për shkak kartonësh. Në Lushnjë patjetër që do ta nisë nga minuta e parë. Ende nuk është e qatë se çfarë do të ndodhë me Tefik Osmanin, një tjetër lojtar që u dëmtua përpara ndeshjes me Laçin. Edhe për të gjendja do të shihet me kujdes dhe nesër stafi teknik dhe ai mjekësor do të marrin një vendim. Sipas programit stërvitor, trajnerit Daja i kanë mbetur edhe dy seanca për të përgatitur ndeshjen e nesërme me Lushnjën. Të martë do të mbyllen përgatitjet anti-Lushnja. Skuadra do të kthehet në Korçë pas ndeshjes të së mërkurës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *