Gjergji Muzaka rilindi në Korçë dhe tashmë nuk ka ndërmend ta lërë në baltë Skënderbeun. Mesfushori panon që kishte ofertë edhe nga Flamurtari, por shpjegon se ka qëndruar në Korçë për të luftuar deri në fund betejën e madhe, atë me UEFA-n, ku është mendja e gjithë korçarëve.
“Para se të merrja këtë vendim, nuk është se u mendova gjatë. Erdha te Skënderbeu në 2010, kur u krijua ky ekip i mrekullueshëm dhe besoj se kam qenë pjesë e suksesit dhe e lavdisë së këtij klubi. Normalisht, të gjithë ne që kemi qenë pjesë e këtij klubi, e ndjenim obligim që ashtu si kemi kaluar periudhën më të bukur e të suksesshme të karrierës, e kishim si obligim të qëndronim edhe tani, që kemi betejën më të vështirë. Ashtu siç ka momente të mira, pas dënimit vjen një moment i vështirë dhe duhet luftojmë të gjithë bashkë. Presidenti Takaj është i pari i kësaj familje dhe është për t’u falënderuar se ai e bëri sakrificën i pari që të mbahet ky grup për të vazhduar e luftuar të gjithë bashkë. Në këto momente është edhe fundi i karrierës dhe nuk mund ta braktisja këtë luftë në fund, pasi them që nëse do të vdesim në këtë betejë të fundit, të paktën të vdesim me lavdi”.
“Janë larguar sportistë, ashtu siç u largua edhe trajneri. Së pari i falënderojmë shumë, se kanë qenë ndihmesë e madhe për ne, sidomos në vitin e fundit ku kemi pasur suksesin më të madh në Europë, ashtu edhe në kampionat, duke i fituar të dyja trofetë. Megjithatë, nuk duhet t’i gjykojmë, sepse siç e dimë karriera e futbollistit është e shkurtër dhe ato kanë pasur arsyet e tyre madhore për t’u larguar. Në këtë betejë nuk është më e rëndësishme të dalim kampionë me 20, 10 pikë apo 2 pikë diferencë. Kemi përpara një luftë akoma më të vështirë sesa ky objektiv.
Me këtë grup që kemi, është mëse normale që të vazhdojmë dhe të arrijmë sukseset që kemi pasur edhe më para. Unë do të fokusohem të kjo, por nuk është ky objektivi primar i këtij Skënderbeu.
Ofertat nga Flamurtari? Është e vërtetë, jam i nderuar dhe i vlerësuar që trajneri Daja ka pasur interesim për shërbimet e mia. Dua ta falënderoj publikisht se një meritë e madhe e ecurisë dhe vlerave të mia të shtuara është e trajnerit Daja si në pozicionimin tim, ashtu edhe në vlerësimin ndaj meje. Megjithatë, siç e thashë edhe më përpara, kemi një betejë shumë të madhe për të luftuar.
Kam thuajse 17-18 vite karrierë në futbollin shqiptar dhe kurrsesi nuk do ia lejoja vetes të mbyllja karrierën me pengje, do të ishte peng i madh për mua nëse do të largohesha në këto momente”.