Muzaka e thotë me bindje: Skënderbeu, një ekip i madh

 

 Për mesfushorin kryeqytetas, kalimi në grupet e Europa League është një risi, pasi asnjëherë më parë nuk kishte provuar një sukses kaq të madh

 

Të gjithë te Skënderbeu e dinë fort mirë që të jesh pjesë e këtij ekipi është privilegj. Po të gjithë e vlerësojnë maksimalisht skuadrën juglindore dhe rezultatet flasin vetë më shumë se çdo gjë tjetër.

Për Gjergjin Muzakën kjo është përvoja e tretë me Skënderbeun dhe si për koiçidencë, është “e treta, e vërteta” kjo e kësaj radhe. Ka arritur suksesin më të madh në karrierën e tij sportive, duke shkuar në grupet e Europa League. Muzaka tani mund ta thotë me gojën plot se ky Skënderbe është një ekip i madh, por ende nuk ka përfunduar asgjë. Kryeqytetasi premton se Skënderbeu do të japë më të mirën. “Për mua kalimi i katër tureve të Europa League dhe futja në grupe është një sukses i veçantë, pasi para dy vitesh ndodhi e njëjta gjë për Skënderbeun, por nuk isha pjesë e tij. Kjo do të jetë edhe një eksperiencë e parë dhe sigurisht që ndjehem shumë i lumtur për këtë gjë. Në grupet e Europa League nuk ka ekipe të lehta dhe e dinim se do të përballeshim me kundërshtarë të fortë. Ka ardhur momenti të themi të gjithë se Skënderbeu është një ekip i madh. Personalisht, e deklaroj me bindje dhe ndihem shumë mirë”, – thekson Muzaka.

SUPERLIGA – Për ndeshjet e kampionatit të ri, që starton pas pak ditësh, por dhe për ngjeshjen e ndeshjeve për Skënderbeun, Muzaka shprehet: “Po, kemi shumë ndeshje përpara dhe kemi një ngarkesë të madhe, pasi luajmë në tre kompeticione. Skënderbeu është gati të përdorë rotacionin, pasi ka një grup të madh lojtarësh të denjë për të qenë të gjithë titullarë. Ky është një plus shumë i madh. Jam i bindur se do ta përballojmë në mënyrën më të mirë ngarkesën në të tre kompeticionet dhe do të arrijmë objektivat që kemi si klub. Morali i lartë që ka skuadra në këtë moment do të japë efektet e veta pozitive. Ky është një avantazh, në krahasim me skuadrat e tjera”.

FORMACIONI – Gjergji Muzaka, i pyetur së fundi për vendin në formacionin e ekipit korçar, thotë: “Nuk e shikoj me atë sy, nëse jam titullar apo jam në stol te Skënderbeu. Edhe një minutë të jem në fushë, është shumë e rëndësishme për mua dhe për Skënderbeun dhe këtë e kam si parim. Të gjithë duam që Skënderbeu të shkojë sa më larg. Jemi të gjithë një dhe kjo ka bërë që të arrijmë edhe këto suksese”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *