Shumica e trajnerëve i ruajtën kritikat për lojtarët brenda mureve të dhomave të zhveshjes. Por, trajneri i Mançester Junajtid, Zhoze Murinjo, nuk e ka problem t’i thotë hapur se çfarë nuk i pëlqen te lojtarët e tij para mikrofonave të gazetarëve, siç bëri dje pas barazimit 0-0 në “Old Trafford” ndaj vizitorëve të Valencias.
“Kishim një plan loje shumë të mirë. E njihnim shumë mirë kundërshtarin dhe e dinim se çfarë do të bënin për ta vënë në vështirësi. U munduam të krijonim situata më të rrezikshme, por aksionet tona fillojnë nga mbrojtja dhe disa lojtarë nuk kanë bagazhin e duhur teknik për të bërë lojën që kërkoj unë prej tyre”, tha portugezi duke vënë gishtin hapurazi .
BARAZIMI – “Mendoj se ne luajtëm më mirë se ata, por e pranoj barazimin si një rezultat të drejtë. Sigurisht që ky rezultat na vë në vështirësi, pasi do të na duhet që t’i mundim me doemos në Valencia, nëse duam të kalojmë grupin”, përfundoi Murinjo.