“Special One” pranon se do të jetë e vështirë të qëndrojë të Mançesteri, nëse nuk fiton trofe.
Zhoze Murinjo dëshiron të jetë trajneri i Mançester Junajtid edhe për 15 vjet të tjera. “Jam gati. Jam gati dhe për 15 vite të tjera këtu” – shprehet trajneri i Djajve të Kuq.
“Duhet ta pranoj që puna jonë është shumë e vështirë. Gjithë ai presion mbi ne, mbi punën që bëjmë. Duhet që të fitojmë, por në fund vetëm një fiton dhe e vërteta është, se çdo vit bëhet më i vështirë.”
“Ajo që po përpiqem të bëj me ekipin shkon përtej rezultateve, përtej asaj që njerëzit mund të mendojnë, se një trajner mund t’i bëjë. Për mua kjo punë është më shumë sesa rezultati që ekipi im merr në fundjavë”.
“Për shumë vjet ky ekip ka qënë i Alek Fergusonit. Njerëzit u mësuan me të. Ky sezon është sezoni im i dytë me Mançesterin. Do të doja t’i jepja ekipit stabilitetin që ka pasur në kohën e Fergusonit.”
“Do të provoj, do të provoj përsëri që ta meritoj këtë shans. Kjo është ajo që po bëj çdo ditë.”
“Një vit ti ke sukses, vitin tjetër nuk ke. Kjo më ndodhi mua te Çelsi, kjo i ndodhi Ranierit te Leisteri dhe kjo mund t’i ndodhë edhe shumë të tjerëve.”
Murinjo gjithashtu theksoi se Premier Liga ka trajnerët më të mirë: “Nuk jam i befasuar që asnjë nga 7 ekipet kryesore në Angli nuk ndërruan trajner”.
Portugezi zëvendësoi trajnerin Van Gal te Mançester Junajtid sezonin e kaluar, sezon në të cilin “Special One” fitoi Ligën e Europës dhe trofeun “Capital One” në Angli. Më parë trajneri portugez ka drejtuar Porton, Çelsin, Real Madridin dhe Interin.