Zhoze Murinjo ka deklaruar se Liverpulit nuk i afrohet askush për shpenzime dhe tashmë duhet të fitojë Premier Ligën, pas blerjeve të mëdha në tregun e futbollistëve, ku The Reds janë mbreti këtë verë.
Megjithatë, është interesante të ngrihet pyetja se kush ka shpenzuar më shumë, Klop apo portugezi?
Portugezi Alison (67 milionë sterlina) u bë blerja e katërt verore pas blerjeve të Nabi Keitasë (53.75 milionë), Fabinjo (43 milionë) dhe Xherdan Shaqiri (13.5 milionë), duke e çuar shpenzimin total të Liverpulit këtë verë në 176.95 milionë sterlina.
Asnjë klub i Premier Ligës nuk ka shpenzuar kaq shumë këtë verë, ndërsa Mançester Junajtid ka shpenzuar rreth 63 milionë sterlina, nga të cilat 53 për Fred, 19 për Diogo Dalot dhe 1.5 për portierin veteran Grant. Megjithatë, Murinjo ende nuk i ka bërë goditjet e mëdha verore dhe priten 2 të tilla, ndërsa Liverpuli e ka mbyllur merkaton.
Si janë me shpenzimet në merkato Junajtid e Liverpul që kur Murinjo mori drejtimin, në maj 2016?
SKUADRA SHPENZIMET SHITJET SHPENZIMI NETO
Liverpul £411.55m £289.65m £121.9m
Man Utd £392.55m £85.3m £307.25m
Në situatën aktuale, Liverpuli ka shpenzuar më shumë, ne Alison që e ka çuar në 411 milionë sterlina shpenzimin në merkato, kundrejt 392 të Junajtid, që nuk pagoi shifra transferimi për yje si Aleksis Sançez e Zllatan Ibrahimoviç.
Ndërkohë, blerja më e shtrenjtë e Liverpulit në këtë periudhë ka qenë Van Dijk, 75 milionë sterlina, ndërsa për Junajtid Pol Pogba, 93.25 milionë. Në total, shifrat flasin qartë, Murinjo ka shpenzuar më shumë dhe nuk ka mbaruar ende. Në aspektin e shitjeve, Murinjo ka bërë shumë pak, me Depaj që është shitur për 21.7 milionë sterlina, ndërsa Liverpuli ka arkëtuar pa fund, 146 milionë sterlina vetëm nga Filipe Kutinjo.
LOJTARI KLUBI SHIFRA
Pol Pogba Man Utd £93.25m
Romelu Lukaku Man Utd £90m
Virgil van Dijk Liverpul £75m
Alison Liverpul £67m
Fred Man Utd £53m
Nabi Keita Liverpul £52.75m