Sot, përballë “gjelave”, kuqezinjtë e vegjël në provën që mund të japë indikacione përpara ndeshjes së rëndësishme me Estoninë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit të moshave
“Franca është një emër i madh dhe motivues për të gjithë lojtaët. Ne duhet të jemi të aftë të përballemi me skuadra më të forta. Ju siguroj që do të jetë një Shqipëri me grintë dhe sulmuese, sepse kështu duhet të luajmë edhe ndaj Estonisë”. Alban Bushi e di rëndësinë e ndeshjes së sotme ndaj “gjelave”, edhe pse sigurisht që bëhet fjalë vetëm për një miqësore. Informacionet për Francën Bushi i ka marrë së fundmi nga ish-futbollisti i kombëtares Edvin Murati, ndërsa Estoninë tregon që e ka studiuar në detaje që pas hedhjes së shortit. Trajneri i Francës ka ndeshjen e tij të parë. Edvin Murati më ka dhënë disa informacione për këtë skuadër ndërsa Estonina para dy muajsh ka barazuar me Skocinë.
“Është një skuadër shumë e fortë me lojtarë shumë të mirë në përbërje. Sigurisht, edhe ne kemi disa futbollistë që dijnë ta bëjnë diferencën dhe shpresoj që të jetë ashtu në fushë. Jam i bindur që në përbërje, ekipi Shpresa ka shumë futbollistë cilësorë. Unë kam një listë prej 80 apo 90 futbollistësh, por jam i detyruar të grumbulloj vetëm 25 prej tyre, pra ata që janë më në formë. Mendoj se ka shumë elementë cilësorë dhe shumë prej tyre besoj do të luajnë në ekipe të mëdha evropiane”.