Flamurtari u mund në transfertë nga Kastriotin, ndërkohë që tanimë rikthehet të luajë në shtëpi. Lacci do të jetë ekipi mysafir i kuqezinjve. Për trajneri Ilir Daja janë të shumta mungesat para këtij takimi.
Problemi kryesor është mesfusha, pasi Idriz Batha dhe Muhamet Useini janë të pezulluar prej kartonëve. Veç tyre, edhe Artim Pollozhani mori të verdhin e katërt në ndeshjen e fundit me Kastriotin dhe në takimin e radhës nuk mund të luajë.
Futbollisti polivalent mund të zhvendosej në mesfushë, por tanimë trajneri Daja duhet të gjejë zgjidhje të tjera. Me Deliajn që nuk do të jetë as këtë fundjavë, Hyseni dhe Musta krah Argjend Mustafëë mund të jenë zgjidhja më e mirë në kushtet ku janë vlonjatët momentalisht.
Gjatë këtyre ditëve stafi teknik do ta mendojë mirë se si do ta rreshtojë skuadrën. Hyseni ka luajtur shpesh si titullar, ndërkohë që edhe Musta ka provuar të aktivizohet në qendër të mesfushës.