Franko Lerda nuk ka humbur kohë dhe ka nisur punën në terren. Trajneri i ri i është bashkuar Partizanit në Slloveni, aty ku kampionët e Shqipërisë po përgatiten për ndeshjet e Champions Ligës kundër azerëve të Karabakut.
Trajneri italian ka folur për “La Stampa”, aty ku ndalet te aventura e re, e para jashtë Italisë, kundërshtari europian dhe filozofia e tij. Partizani i tij do tentojë rezultate, por edhe futbollin e bukur. Përshtypjet e para janë pozitive dhe Lerda beson shumë tek ekipi i tij.
“Të hënën arritëm akordin me drejtuesit e Partizanit dhe nisa menjëherë punën me lojtarët e rinj. Nuk kemi shumë kohë në dispozicion për të përgatitur ndeshjet kundër Karabakut, por duam të jemi gati. Kisha shumë dëshirë për t’u rikthyer.
Është hera e parë që po trajnoj jashtë Italisë. Kjo është një mundësi e madhe për mua. E diskutova me familjen dhe kisha dëshirë për të mos e humbur këtë tren. Një aventurë jashtë është gjithmonë një mundësi për t’u rritur, edhe në aspektin kulturor. Dua që Partizani im të luajë bukur futboll.
Partizani po fokusohet në eliminimin e Karabakut dhe diçka e tillë do të shtonte financat e klubit. Mos të harrojmë se do të bëhej fjalë për një reklamë të bukur të futbollit shqiptar.
Ndodhemi në fazë përgatitore në Slloveni dhe do të qëndrojmë këtu deri me datë 2 korrik. Më pas do të stërvitemi në Tiranë. Shorti na përballi me një ekip, që është mësuar të fitojë më shumë se ne. Gjithsesi, përshtypjet e para janë pozitive dhe kam besim. Skuadra nuk është kompletuar akoma, por po përpiqemi të gjejmë elementët e duhur për përforcimin e skuadrës”, përfundon Franko Lerda.