Muça për javën e 28-të: Tre fitore e një barazim, do ketë lëvizje edhe në renditje

Të mërkurën do të luhen katër ndeshjet e javës së 28-të të Kategorisë Superiore, në të cilat janë në lojë synimet e të gjitha skuadrave nga kreu në fundin e renditjes. Duke qenë se Tirana do të jetë pushim, pasi duhej të ndeshje me Kamzën, ish-lojtari e trajneri bardheblu Shkëlqim Muça, parashikon një javë me dritëhije, ndërkohë që rezultatet ai i mendon duke i dhënë më shumë  superioritet skuadrave pritëse.

Për SportEkspres.com, Muça deklaron se Partizani e Kastrioti janë më të favorizuar për fitore. “E mendoj një javë me ndeshje të forta e të vështira, por më shumë prioritet do të kenë skuadrat pritëse. Një rikthim te fitorja për Partizanin në kryendeshjen me Skënderbeun, ndërkohë që edhe Kastrioti do të arrijë të dalë me një rezultat pozitiv në përballjen ndaj Luftëtarit”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij Shkëlqim Muça.

Ndërkohë që për ndeshjet e tjera të javës kësaj jave, Muça mendon një barazim  në Vlorë mes Flamurtarit e Teutës dhe fitore të Laçit me Kukësin. “Teuta nuk duhet parë nga rezultatet e fundit që ka arritur dhe në Vlorë besoj se do të marrë barazimin. Për Laçin, rruga e fitoreve duket e shtruar edhe në këtë sfidë me Kukësin, ndaj pres që kjo javë të sjellë disa lëvizje në renditje, por në të dy kahjet e saj”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *