Mrekullia e Krotones dhe premtimi i trajnerit: Gjithë Italinë me biçikletë!

0

Safet Gjici premtoi ta bënte në këmbë nga tuneli deri në Kukës në këmbë, nëse fitonte titullin. Nuk e mbajti fjalën.

Dikush tjetër e mban dhe quhet Davide Nikola, është trajneri i Krotones që ka mahnitur Italinë, duke siguruar qëndrimin në Serinë A me një sprint fenomenal në pjesën e dytë të sezonit.

Një histori e denjë për filma: Krotone u ngjit si pa dashje në Serinë A dhe deri në tetor nuk kishte stadiumin në rregull, ndaj luajti në Peskara.

Në janar renditja “qante”: vetëm 9 pikë dhe rënie e sigurt, me gazetarë e analistë që shkruanin se Seria A kishte humbur bukurinë, duke parë se Krotone, Peskara e Palermo ranë pa ardhur pranvera.

E megjithatë, Krotone i dha besim trajnerit Nikola, diçka e rrallë në futbollin modern, ku trajnerët largohen për tre humbje rresht.

Nikola e nisi me një 4-4-2 shumë mbrojtës, pak skuadra i kanë shënuar më shumë se dy gola këtë sezon, ndërsa skuadra u rrit pak nga pak. Shumë debutues, buxhet qesharak, eksperienca zero: Krotone u bë për spital shumë shpejt dhe ironikisht një spital e ka ngjitur me stadiumin, me pacientët që i shohin ndeshjet falas nga dritaret.

Nikola nuk u dorëzua, edhe pse humbi sërish titullarë në janar: pak nga pak, Krotone gjeti lojë, besim e rezultate. Në qytet, entuziazëm si në Champions League, çdo pikë festohej si titull kampion. Empoli kujtoi se mbaroi dhe në pranverë u rrënua, Krotone ishte gati.

Pas fitores ndaj Interit, në prill, Nikola tha: “Do t’ia dalim, ky është grup fantastik, nuk dorëzohet kurrë. Falënderoj klubin, më dha besim sepse më konsideron trajner, jo dikë që rri urtë e pranon shkelma bythës. Nëse shpëtojmë, do të shkoj deri në Torino me biçikletë. Nuk është asgjë, krahasuar me kalendarin e ndeshjeve të ardhshme”.

Nëntë ndeshjet e fundit, 20 pikë, më shumë se Juventusi dhe kaq mjafton për të kuptuar çfarë ka bërë skuadra kalabreze, që u kthye në përrallën e një sezoni që kishte marrë fund që në prill.

Tani Davide Nikola nuk bën bisht: do të mbajë premtimin e bërë, Krotone-Torino, mbi 1200 km, e gjitha me biçikletë!

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.