Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit është personi më i paguar në klubin e kuq. Italiani fiton 12.5 mijë euro në muaj
Ardhja e Luçiano Moxhit si Drejtor i Përgjithshëm i ekipit të Partizanit habiti të gjithë. Të kuqtë afronin një emër me peshë të madhe në futbollin botëror, e kryesisht atë italian. Moxhi, si për mirë, si për keq, ndihmon në marketing dhe njohjen e skuadrës së kuqe. Megjithatë, shqiptarët nuk të shohin gunën, por punën. Në kushte të tilla kërkesat për italianin janë të qarta, fitimi i titullit kampion dhe trofeve të tjerë. Moxhi ka varur me dëshirën e tij çelësat në qafë dhe ka ndërtuar ekipin si ka dashur vetë, me një lirshmëri që s’ka pasur luksin asnjë drejtues i mëparshëm për ta bërë.
Shifrat dhe fitimet e tij në klubin e “demave” gjithmonë janë anashkaluar dhe asnjëherë vëmendja s’ka qenë e përqendruar aty, pasi të kuqtë kanë ditur ta fshehin mirë. Megjithatë, “Sport Ekspres” ka mundur të sigurojë listën e pagave te Partizani dhe Moxhi kryeson fuqishëm listën e të paguarve.
RROGA – Moxhi ka përfitimet më të mëdha në klubin e kuq, por edhe në Superiore. Drejtori i Përgjithshëm përfiton një rrogë prej 150 mijë eurosh në vit. E përkthyer në shifra mujore i bie te 12.5 mijë euro në muaj. Padyshim që një rrogë e tillë lë të kënaqur edhe Moxhin. Lajmi është konfirmuar nga burime të sigurta pranë klubit të Partizanit. Ndoshta Moxhi nuk po punon te ekipi i “demave” për përfitime financiare, por kjo nuk do të thotë se oferta e Partizanit nuk ka qenë joshëse për të.
Rroga e tij e kthehen në njeriun më të paguar në klubin e kuq. Ai paguhet më shumë se lojtarët, por gjithashtu përfitimet e tij janë të paktën 5 herë më të mëdha se çdo drejtor i mëparshëm. Sigurisht, nuk mund të krahasosh Moxhin me ish-drejtorët, pasi emri i tij shet më shumë, nuk mund të flasim në aspektin profesional, pasi do të ishte një mendim subjektiv.
Gjithsesi, nuk mund të mos habitesh me shifra të tilla, aq më shumë që Moxhi e ka deklaruar vetë se mund të paguhet vetëm nëse klubi ka sukses, pasi për momentin punon miqësisht si këshilltar i presidentit Demi.