Marrëveshje e mbyllur/ Moxhi gjen trajner, është një ish-juventin i njohur

Luçiano Moxhi e deklaroi edhe para pak ditësh në intervistën për “Sport Ekspres” se këto ditë do të sillte në Shqipëri një trajner të huaj dhe tashmë është konfirmuar: trajneri i ri i Partizanit do të jetë Mark Juliano. Bëhet fjalë për një ish-mbrojtës të njohur të Juventusit, sepse Juliano ka luajtur me Juven në periudhën 1996-2005, duke luajtur 187 ndeshje. Ish-mbrojtësi i Italisë (19 ndeshje e 1 gol) këtë pranverë shkoi te Komo, ndërsa tani që klubi italian falimentoi, vjen në Shqipëri. CV super si lojtar, jo e tillë si trajner, por a nuk thamë kështu edhe për Panuçin? Të paktën merr fund ky mister.

KARRIERA SI TRAJNER – Në vitin 2012, sapo e mbylli me futbollin e luajtur, Juliano nisi punë tek ekipet e moshave të Pavias. Dy vjet aty, më pas një vit te të rinjtë e Latinas. Më 5 janar 2015 Latina e emëroi trajner të parë, pas pushimit nga puna të Roberto Bredës. Qëndroi thuajse një vit te Latina, ku në fakt bëri punë të mirë, por në nëntor 2015 e pushuan nga puna. Më shumë se një vit pushim, duke bërë rolin e opinionistit nëpër televizione, derisa më 26 maj Komo e thirri për t’i dhënë drejtimin e skuadrës që po rindërtohej. Gjithçka ters: pa debutuar dhe pa bërë planet e së ardhmes, Juliano mbeti pa punë, sepse Komo falimentoi.

LIDHJA ME MOXHIN – Në Itali thonë se Mark Juliano është një mik i ngushtë i Moxhit. Karriera e mbrojtësit është lidhur ngushtë me Moxhin që nga koha e Juventusit dhe miqësia e tyre nuk është zbehur më që në vitet ’90. Edhe marrja e drejtimit të Komos në maj, sipas medieve italiane, kishte në prapaskenë Luçiano Moxhin. Te Komo do të shkonin drejtues të afërt me Moxhin dhe u spekulua shumë se Komo kishte marrë si konsulent pikërisht ish-drejtorin e famshëm të Juventusit. Komo falimentoi, gruaja e Majkëll Esienit nuk pagoi më asnjë euro pas majit, ndaj Moxhi erdhi te Partizani dhe tani vjen edhe Juliano. A do të ketë më shumë fat se te Komo? Të shohim…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *