MotoGP/ Nis sezoni, triumfi i parë është italian

Ka nisur Kampionati Botëror në MotoGP, kategoria mbretëreshë e motorëve. Gara e parë e sezonit të ri është zhvilluar në Katar, aty ku ka qenë një “deja vu”, sepse ashtu si vitin e shkuar, triumfoi italiani Andrea Doviciozo me Dukati, i pari pilot që fiton dy herë rresht aty, pas Lorencos (2012-2013). Doviciozo bëhet italiani i tretë më fitues në MotoGP, duke barazuar Maks Biaxhin.

I dyti në finish Mark Markez, ndjekur nga Kal Kraçlou e Rins. Valentino Rosi e nisi nga vendi i 14-të dhe e mbylli i pesti, aspak keq, ndërsa pas tij u rendit Petruçi. Në 20 Botërorët e fundit, një ndër 6 pilotët e parë në garën hapëse ka fituar edhe Botërorin.

Fitorja e gjashtë italiane në Losail International Circuit, duke barazuar rekordin e Spanjës.

Pas triumfit, Doviciozo tha: “Pashë që Markez po vuante shumë në pjesën finale të garës, e kuptova dhe i dhashë gaz në maksimum për të fituar“.

Markez: “Ishte garë identike me 2018, në këtë cirkuit është e rrezikshme të garosh shumë shpejt dhe ne vuajmë këtu, aq më shumë që me gomën e mesme nuk ecja dot aq shpejt sa doja”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *