Skuadra e Tërbunit po tregohet racionale në këtë merkato vere. Pasi kanë rikonfirmuar të gjithë titullarët e sezonit të kaluar, gjatë muajit qershor drejtuesit e klubit verior bënë disa afrime. Deri më tani kanë nënshkruar me mesfushorët Majkëll Peçi nga Kamza, Klaudio Hyseni nga Burreli dhe Dejvis Çangu nga Elbasani, mbrojtësi Realf Zhivanaj është synimi i katërt gjatë kësaj merkatoje. Shtatlarti tiranas, në parim ka rënë dakord me skuadrën pukjane.
Për SportEkspres.com, vetë mbrojtësi Zhivanaj e pranon se ende nuk ka nënshkruar kontratë me Tërbunin, por këtë javë mund ta mbyllë. “Kam biseduar me drejtuesit e Tërbunit dhe ditë më parë parimisht kam rënë dakord. Këtë javë besoj se do firmos, edhe pse gjatë kësaj periudhe kisha dy oferta të tjera nga skuadra të Kategorisë së Parë, që pretendojnë ngjitjen në Kategorinë Superiore. Tërbuni më duket zgjedhja e duhur”.
Mbrojtësi Realf Zhivanaj u bashkua me Vorën gjatë merkatos së janarit, pas një përvoje një vjeçare në New Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me skuadrën Saint Francis të Divizionit të Dytë të Universiteteve.
Ai ka qenë pjesë e U 19 të Tiranës dhe me Tirana B, ndërsa në sezonin 2016-2017 me Tiranën. Qendërmbrojtës u aktivizua nga trajneri Ze Maria gjatë miqësoreve verën e shkuar dhe mori vlerësime nga trajneri brazilian, por Zhivanaj u zhvendos më pas në SHBA.
Tërbuni këtë sezon luan në Kategorinë e Parë dhe me angazhimin e drejtuesve të klubit e të Bashkisë kanë afruar emra futbollistësh me perspektivë.
AGRON KAJA