Nuk mund të niste më mirë sezoni i ri për Milanin, që pas tre fitoreve të lehta në Europa League, e ka nisur kampionatin me një sukses bindës në Krotone.
“Më pëlqeu shumë si e përgatitëm ndeshjen dhe si u futëm në fushë, edhe pse kartoni i kuq i Krotones na e bëri shumë të lehtë. Megjithatë, nëse duam të bëhemi një skuadër fituese, duhet të mësojmë si administrohen ndeshjet, sepse pas 3-0 morëm disa kartonë të verdhë të panevojshëm dhe kjo nuk më pëlqeu”, deklaroi pas ndeshjes trajneri kuqezi Vinçenco Montela, i cili nuk merret shumë me teknologjinë VAR, që i dha një penallti Milanit dhe një të kuqe Krotones: “Nuk më duket rasti për të komentuar edhe VAR-in: duhet të mësohemi me të, kam përshtypjen se do të sjellë qetësi, në fushë e jashtë saj”.
Një lojtar në veçanti ka impresionuar Montelën: “Shumë lojtarë po rriten me ritme të shpejta. Kesie, në veçanti, e prisja të ishte i zoti, por jo kaq i mirë: është inteligjent dhe arsyeton që tani si lojtar ekspert. André Silva mund të bëjë shumë më tepër se kaq, kur të mësojë të çojë topin në rrjetë me lehtësi, do të bëhet një sulmues i një niveli shumë të lartë. Po vjen Kaliniç? Për një skuadër të madhe tre sulmues janë normalitet, ka skuadra që kanë nga 4”.