Milanin e pret ndeshja më e vështirë e kampionatit nesër pasdite. Kuqezinjtë do të luajnë kundër Juventusit të Alegrit në transfertë. Gara për një vend në Champions është komplikuar shumë pas hapave falsë në ndeshjet e fundit.
Atalanta, Lacio dhe Torino janë afruar, ndërsa po aty janë edhe Roma me Sampdorian. Ekipi i Gatuzos vazhdon të renditet në vendin e katërt, katër pikë poshtë Interit dhe një sipër Atalantës së vendit të pestë.
Dëmtimet e Donarumës dhe Paketës kanë prishur qetësinë, ndërsa Gatuzos i duhet të përgatisë në perfeksion ndeshjen e radhës, përndryshe marrja e pikëve me bardhezinjtë komplikohet shumë.
Ekipi i “Djallit” ka statistika të këqija me tre ekipet që renditen lart tyre. Dy derbet kundër Interit janë humbur, ndeshja me Juven në shtëpi është humbur, ndërsa përballë Napolit janë siguruar një humbje dhe një barazim.
Kuqezinjtë numërojnë vetëm një pikë në pesë ndeshjet kundër ekipeve sipër tyre në renditje. Një statistikë e keqe që konfirmon faktin që Milani nuk po arrin të hedhë hapin cilësor.
Kjo tendencë duhet thyer dhe djemtë e Gatuzos duhet të guxojnë në Torino. Bardhezinjtë janë të fortë, shumë të fortë, por fitimi i titullit është vetëm çështje kohe dhe për Juventusin ka më shumë rëndësi ndeshja e së mërkurës kundër Ajaksit në Champions. Milani duhet të përfitojë nga kjo situatë dhe të tregojë se është në gjendje të marrë pikë, pse jo fitore, edhe kundër ekipeve më të forta.