Karlo Ançeloti po shijon në maksimum eksperiencën me ekipin e Napolit. Trajneri iu famshëm ka mbetur i impresionuar nga qyteti dhe atmosfera që qarkullon në Napoli. Ai është në formë dhe e vetmja gjë që mund ta bëjë të tërhiqet, është stresi. I pranishëm gjithmonë, por nuk ka asnjë problem nëse menaxhohet mirë.
Ançeloti ka folur gjatë prezantimit të librit “Demonët” të Alesandro Alçiatos, ku tregon sekretet e sukseseve të tij, ndërsa i rikthehet dhe njëherë netëve magjike me Milanin në Champions. Në stolin e kuqezinjve zhvilloi tre finale të Champions-it brenda pesë sezonesh. Të parën e fitoi kundër Juventusit, të dytën… e lemë fare, ndërsa të tretën e fitoi sërish dhe u hakmor kundër Liverpulit, ekip që i dhuroi tifozëve milanistë një nga mbrëmjet më të errëta në finalen e vitit 2005.
STRESI – “Demonët ekzistojnë në futboll dhe në jetë, por jo këtu në Napoli. Po ndihem si zot, ky qytet është një parajsë e vërtetë. Saki ishte një novator, por nuk zhvilloi një karrierë të gjatë për shkak të stresit. Unë po e menaxhoj mirë stresin, por nëse nuk do të arrij ta bëj më, do të tërhiqem. Saki ishte një trajner, i cili kërkonte shumë nga lojtarët, por mbi të gjitha nga vetja. Stresi i prek të gjithë, por duhet të jemi në gjendje ta menaxhojmë. Kush e menaxhon mirë e transformon në energji. Për momentin ndihem shumë mirë, më pëlqen puna ime dhe do largohem ditën kur stresi të bëhet i pa menaxhueshëm.”
SEKRETI I SUKSESIT – “Kam shumë dëshirë për të stërvitur, bëj atë çfarë më pëlqen dhe kam një pasion të vazhdueshëm. Në një grup është shumë e rëndësishme të përfshish të gjithë stafin në punën që bëhet. Kjo gjë përmirëson të gjithë raportet humane dhe ato të punës.”
CHAMPIONS – “Finalen e humbur në Stamboll përballë Liverpulit nuk e konsideroj si një demon. Është episodi i një rruge të përshkruar me të mirat e të këqijat e veta, por nëse më duhet të zgjedh, preferoj netët e Champions-it të viteve 2007 dhe 2003. Thuhet shpeshherë se në futboll nuk duhet të festosh fitoret, por të mendosh për ndeshjen e ardhshme, por, në fakt, duhen festuar dhe kujtuar fitoret.”
INZAGI-SHEVA – “Ata të dy kanë luajtur shumë ndeshje së bashku. Dy sulmues të fortë, por të ndryshëm nga ana e karakterit. Sheva fliste pak, për shkak të problemeve të gjuhës. I shikonte gjërat në vend që t’i dëgjonte nga unë.”