Sulmuesi ka ndrydhur gjurin dje dhe pritet të shihet shkalla e dëmtimit. Rrezikon përballjet evropiane, ndërkohë që ka edhe një debat me trajnerin Starova
Partizani vijon me përgatitjet në Ohër, teksa ditën e djeshme ka shfaqur probleme sulmuesi Xhevahir Sukaj, lojtari kyç i sulmit për të kuqtë në përballjet Botev Plovdiv. Shkodrani ka pësuar një dëmtim në gju që në fakt e ka trembur stafin teknik, edhe pse nuk duket diçka e rëndë. Fatmirësisht nuk ka të njëjtin dëmtim që kishte në Malajzi, por realisht ai rrezikon përballjet evropiane. Gjithsesi ende nuk është përcaktuar asgjë dhe fjalën e fundit do e thonë mjekët e ekipit. Sulmuesi shkodran qëndroi vjet rreth tetë muaj pa luajtur, duke u kthyer në fushë në muajin mars, në përballjen që Partizani fitoi me Korabin me rezultatin 0-2. Forma e tij sportive nuk ishte e duhura, kjo edhe prej kondicionit fizik jo maksimal, çka bëri që trajneri Starova të mos i besojë shkodranit asnjë ndeshje nga minuta e parë. Në tetë përballje Sukaj zbriti në fushën e blertë dhe realizoi dy gola. Të parin ia shënoi Teutës me penallti në atë fitore të arritur në “Selman Stërmasi” me rezultatin 5-1, ndërsa të dytin në derbi, në një ndeshje ku festa e tij zgjati shumë dhe i gëzoi pa masë tifozët e kuq.
DEBATI – Mes Xhevahir Sukajt dhe Sulejman Starovës ka pasur shpesh shkëndija, jo vetëm sezonin e shkuar, por edhe në vitin e parë që sulmuesi veshi fanellën e Partizanin. Së fundmi ata patën një debat pas ndeshjes së barazuar me Kukësin në shtëpi, sfidë e rëndësishme për titullin kampion. Sukaj pas ndeshjes kërkoi llogari për minutat e pakta që iu ofruan në atë takim, ndërkohë që sërish ka pasur debat mes tyre. Kjo ka ndodhur ditën e djeshme, gjatë seancës së paradites, kur mes Starovës dhe Sukajt ka pasur një debat, që është shuar shpejt. Normale këto në një ekip që kërkohet shumë si nga stafi teknik, por edhe vetë futbollistët kanë kërkesat dhe pretendimet e tyre. Ka qenë thjesht një debat, që është hapur dhe është mbyllur në fushën e blertë, sikurse bëjnë me dije burime të gazetës. Tashmë shqetësimi kryesor është gjendja e sulmuesit, që për Starovën në këto momente është shumë i rëndësishëm.