Një vit i jashtëzakonshëm… “përtej çdo pritshmërie” sipas Luka Modriç, që u shpall “Lojtari më i mirë për vitin 2018”. Pasi tërhoqi çmimin në skenën e Londrës, mesfushori i Kroacisë dhe Realit të Madridit u bë protagonist i një moment mjaft prekës, falë fjalimit që mbajti dhe fjalëve të përzgjedhura për të falënderuar familjen, e cila e mbështet dhe e shoqëron çdo ditë, si edhe shokët e skuadrës.
Një sezon fantastik, si me Realin e Madridit ku fitoi sërish trofeun e Champions League, por edhe me Kroacinë, të cilën e udhëhoqi deri në finale e Kupës së Botës 2018, ku u shpall edhe fituesi i “Topit të Artë” si lojtari më i mirë i turneut, ndërsa pak kohë më parë u shpall edhe “Lojtari i Vitit” nga UEFA.
Si zakonisht Modriç u shfaq i ndrojtur, por me falenderime të sinqerta. Mes atyre që morën falenderime nga mesfushori, ishte edhe Zvonimir Boban, i cili ishte i pranishëm në sallë. “Në një moment si ky, dëshiroj të bëj një falenderim të veçantë për idhullin tim, kapitenin e Kroacisë në vitin 1998, që mori pjesë në Botëror dhe u rendit në vendin e tretë të evenimentit në Francë”, deklaroi Modriç.
“Ajo skuadër na dha shpresë dhe besim se mund të realizonim diçka të madhe në Rusi. Shpresoj që edhe Kroacia e këtij viti, të shërbejë si frymëzim për brezat e ardhshëm. Ky çmim që fitova, tregon se kushdo mund të bëhet “Lojtari më i mirë”, duke punuar fort, me besim dhe me shumë sakrificë. Ëndrrat mund të bëhen realitet”. Gjatë fjalimit të Modriç, kamerat u përqendruan te Boban, i cili nuk arriti të mbante lotët, duke iu dorëzuar këtij momenti krenarie jo vetëm për Luka Modriç, por edhe për të gjithë futbollin kroat, të së kaluarës dhe të tashmes.