Kastrioti ka nisur nga puna prej pak ditësh, ndërkohë që Stavri Nica është pasuar nga Bledar Devolli në stol. Drejtuesit nga ana tjetër po mendojnë për të bërë disa lëvizje në merkato dhe këto ditë janë disa emrat e lakuar.
Edison Ndreca, i larguar nga Teuta, është një opsion për krahun e majtë të mbrojtjes dhe gjasat janë që anësori kurbinas të veshë fanellën e krutanëve në vazhdim. E njëjta gjë vlen edhe për Arsid Krujën, i cili ishte gjithashtu te Teuta.
Largimi i Klajdi Kukës gjithashtu ka bërë që krutanët të kërkojnë edhe një tjetër portier. Elson Demi e ka mbyllur me Ilirinë dhe me shumë mundësi do të provojë Superioren. Lezhjani ka spikatur në të shkuarën te Besëlidhja.
Ndërkohë Kastrioti së fundmi ka gjetur edhe një miqësore, që do të zhvillohet ditën e mërkurë kundër Besës së Kavajës. Kjo përballje do luhet në fushën stërvitore të verdhezinjve dhe do të nisë prej orës 13:30.