Dukuria negative e Superiores, Çobani: Stadiumet e boshatisura, si një film pa zë!

Për një ish-dinamovit si Artur Çobani, në analizën e situatës në Kategorinë Superiore, rëndësi ka që skuadrat të kenë nxjerrë konkluzione të qarta teknike-fizike e organizative. Natyrisht që në mes tyre, Çobani rëndësi u jep minimizimit të mangësive që janë vërejtur në dy fazat e para.

Por ajo që juristi Artur Çobani sjell më shumë në vëmendje në këtë intervistë për SportEkspres.com, është boshatisja e stadiumeve. Dhe në përmirësim të kësaj dukurie negative të dy fazave të para, ai kërkon ndalimin e dënimeve kolektive të tifozerive në stadiume. Ndeshjet që janë luajtur pa tifozë, për Çobanin janë si t’i shohësh filmat pa zë.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Nga mbyllja e fazës së dytë të Superiores kanë kaluar tre javë, si kanë lëvizur skuadrat në këtë periudhë?
-Pas pushimeve të fundvitit, duket se të gjitha skuadrat e kanë nisur seriozisht punën e tyre përgatitore për të përballuar sa më mirë pjesën e dytë të këtij sezoni. Më mbrapa duken Flamurtari, Skënderbeu e Kastrioti, ndërkohë që te Luftëtari sikur ka një pikëpyetje për rinisjen.

Nisur nga renditja në dy fazat e para, janë shprehur skuadrat tërësisht në vlerat e tyre reale?
-Për mua po. Kko mendoj se është gjendja e skuadrave, sikundër janë renditur në 18 javë. Kukësi ka qenë më lart dhe duhet të kishte më shumë pikë, ndërkohë që Partizani e Teuta janë treguar skuadra më të konsoliduara. Skënderbeun nuk e mendoja të rezistonte kaq gjatë.

Cilët kanë qenë treguesit më negativë të garës së Superiores në 18 javët e luajtura?
-Duke mos harruar gjendjen e dobët të terreneve, mendoj se treguesi më negativ në dy fazat e para ka qenë boshatisja e stadiumeve. Nuk jam dakord me ndëshkimet kolektive, sepse duhet të dallohen individët që dhunojnë. Të luash pa tifozë, është njësoj si të shohësh një film pa zë!

Pjesa më e madhe e skuadrave në Kategorinë Superiore i kanë nisur përgatitjet e minifazës dimërore, sa mundësi u jepet atyre për të ndryshuar në këtë periudhë?
-Gjithçka varet nga buxhetet që kanë skuadrat, njëherësh edhe nga individët që do të përzgjedhin në merkaton e kësaj periudhe. Por problem është se sa cilësorë do të jenë të afruarit për të qenë protagonistë në ndryshimin e skuadrave.

Që duhet nënkuptuar se, gjatë minifazës dimërore ndryshimet do të jenë me pikatore?
-E thënë më qartë, kjo është situata në këtë periudhë dimërore, e kështu që nuk mendohet ndonjë ndryshim i madh. Më shumë rëndësi ka që të ruhet gjendja fizike e futbollistëve, njëherësh të aplikohen elementë taktikë në interes të harmonizimit të lojës. Dy fazat e tjera janë të vështira.

Në fundin e muajit dhjetor 2018 mori udhë Liga Profesioniste, çfarë pritet t’i sjellë më shumë kjo strukturë futbollit shqiptar?
-Ky është lajmi më pozitiv që i shërben profesionizmit në futbollin shqiptar. Është hedhur një hap i tillë dhe duhet përshëndetur, por edhe duhet mbështetur nga të gjitha skuadrat. Dy fazat e Superiores mendoj se do të jenë një “stazh” që Liga të gjejë veten në organizimin e mirë të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online