Vlonjatët do të luajnë këtë të shtunë, miqësoren e katërt përballë skuadrës greke Aleksandria. Nga informacionet e marra në kampin “kuqezi” pritet që trajneri i Flamurtarit të hedhë në fushë një formacion me lojtarët, që mendohet se do të jenë titullarë për sezonin e ardhshëm. Me Nurkoviç në portë, mbrojtja me Javjolkeviç, Bicaj, Veliu dhe Mersini. Ndërsa mesfusha pritet të ketë dilema rreth lojtarëve nga minuta e parë, por mendohet aktivizimi i Useinit, Siljanovskit, Jufos dhe Mustës. Në sulm prevalon dyshja Bushiç-Alvesh. Ky formacion mendohet titullar për Flamurtarin e sezonit të ardhshëm, ndërsa alternativat nuk mungojnë në stol, ku edhe Hyseni, Liçaj apo Hoxhaj, Kamarra e Sidibe synojnë një post titullari. Dy lojtarët afrikanë pritet që në miqësoren përballë skuadrës greke të luajnë vetëm disa minuta, për shkak të mbërritjes me vonesë në kampingun e Verias, me aktivizimin gjatë pjesës së dytë të ndeshjes. Ndeshja që do të luhet ditën e shtunë është përballja e katërt për vlonjatët. Deri tani, djemtë e Duros kanë fituar dy miqësore dhe kanë humbur një takim.
Danilo Alvesh “argëtuesi”
Danilo Alvesh-Flamurtari është një binom që mbetet i destinuar për të vijuar, pavarësisht se gjatë verës se këtij viti, por edhe një viti më parë, u fol shumë për një largim të tij nga vlonjatët. Gjithsesi, braziliani vijon të mbetet pjesë e skuadrës së Flamurtarit, ndërsa kërkon që tashmë të mendohet vetëm për fushën e blertë, kampionatin dhe objektivat e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm futbollistik. “Një kampionat si ai i sezonit të kaluar, nuk duhet të mendohet nga asnjë prej nesh, por të presim dhe të luajmë një sezon ku duhet të luftojmë për vendet e kreut. Ne të gjithë mendojmë dhe jemi të vetëdijshëm se ky Flamurtar i ka mundësitë për të luajtur një kampionat si protagonist. Dhe me çfarë jemi duke zhvilluar deri tani, përgatitjet kanë qenë mjaft cilësore. E rëndësishme mbetet që të shohim javë pas jave. Deklaratat me bujë asnjëherë nuk ndihmojnë. Më mirë të shohim vetëm fushën e blertë, aty ku duhet të luajmë si një skuadër dhe të japim maksimumin. Unë jam ndjerë gjithmonë mjaft mirë në Vlorë dhe tek Flamurtari. Puna është ajo që jep frytet e veta. Mendoj se ky Flamurtar do t’i argëtojë të gjithë me Bushicin, por edhe lojtarët e tjerë që janë pjesë e skuadrës. Tani të vijojmë punën, më pas nis kampionati dhe të mendojmë ndeshjet”, komenton braziliani i Flamurtarit.