Java që po mbyllim sot ka qenë shumë aktive në ndeshjet miqësore që skuadrat e Kategorisë së Parë kanë zhvilluar mes tyre, por edhe me ekipe të kategorive më sipër e më poshtë tyre. Kështu, nga skuadrat e Kategorisë së Parë janë zhvilluar 21 ndeshje miqësore nga e hëna 14 janar 2019 e deri më sot, e dielë 20 janar 2019 dhe në të gjitha këto ndeshje, Bylis, Besa, Dinamo e Korabi kanë qenë më aktivët. Jo vetëm se këto skuadra kanë zhvilluar dy miqësore brenda javës, por edhe për faktin tjetër se kanë luajtur me skuadra të Kategorisë Superiore.
Madje, Bylisi në 2 ndeshje ka arritur 1 fitore dhe 1 barazim me këto skuadra, e po kështu dhe Besa me humbjen ndaj Tiranës. Në këtë grup (Grupi B), miqësore ka luajtur Lushnnja me skuadra në Malin e Zi, por edhe Tomori, Apolonia e Oriku kanë qenë prezentë, ndërsa në Grupin A, Korabi, Dinamo, Erzeni e Shënkolli bëjnë diferencën me skuadrat e tjera të këtij grupi, të cilat vetëm sa janë përshëndetur me 1 ndeshje.
Duke e parë në tërësi numrin e ndeshjeve miqësore të luajtura këtë javë, ka një zgjim i Ilirisë së Fushë Krujës që dukej e “humbur” në dy javët e para të muajit janar, kemi një Vllazni që luan me “pikatore”, por kemi edhe një Elbasan dhe një Pogradec që kanë hyrë në pit-stop pa asnjë ndeshje të zhvilluar gjatë javës që po lemë pas. Moti me reshje bore e ka ngujuar skuadrën liqenore vetëm në ambiente sportive të mbyllura (kalçeto), ndërsa situata financiare e ka bërë Elbasanin që të testohet brenda grupit.
Ndërsa duhet edhe dy javë që të ristartojë kampionati, kjo situatë e ndeshjeve miqësore tregon ritmikën e përgatitjeve të skuadrave në të dy grupet. Më 2 shkurt luhet java e 15-të e Kampionatit, dhe në 4 javë do të luhen 40 ndeshje për të formatuar renditjet bazë për fazën e tretë ku pikët e skuadrave përgjysmohen.
AGRON KAJA