Janë dashur katër takime që skuadra e Dinamos të pësojë humbjen e parë në ndeshjet parapërgatitore. Djemtë e drejtuar nga Igli Allmuça janë mposhtur me rezultatin 1-0 në miqësoren e zhvilluar në Rrogozhinë ndaj Egnatias.
Të zotët e shtëpisë kanë arritur të triumfojnë falë golit të Klajdi Broshkës në minutën e pestë të takimit. Mesfushori 24-vjeçar është një afrim i kësaj merkatoje. Elbasanasi i është bashkuar ekipit të Egnatias pas katër sezoneve me Apoloninë e Fierit.
Vlen për t’u përmendur fakti se në faqen zyrtare të klubit të Dinamos në “Facebook” nuk munguan aludimet për gjykim të njëanshëm nga ana e gjyqtarëve të takimit. Diçka kjo që ndodh shpesh në mbarë klubet shqiptare edhe pse kemi të bëjmë thjesht me miqësore. Mund të themi me siguri se akuzat ndaj “xhaketave të zeza” sa vijnë e do të shtohen me fillimin e sezonit të ri futbollistik.