Milinkoviç: Tani po, Kukësi më kënaq

0

Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, nuk e fsheh që barazimi kundër Partizanit në Tiranë është një rezultat shumë i mirë. Pas fillimit me humbjen e Superkupës dhe lojës jo bindëse me Kamzën, Kukësi bindi sot, edhe pse nuk dominoi, por nuk ia kërkonte njeri të shkëlqente në lojë.

“Besoj se u bë një ndeshje shumë e mirë. Të dy ekipet u munduan të fitonin. Besoj se kur humben raste të pastra në një ndeshje të tillë, është e pafalshme dhe nuk mund të fitosh. Në fund u treguam më të kujdesshëm, sepse Partizani bëri zëvendësime në sulm dhe avancoi shumë. Zhvilluam një lojë të mirë, vuajtëm pak në krahun e majtë, por problemet ishin të mëdha para ndeshjes, sepse Musolli ishte i sëmurë, edhe Imami luajti duke u sforcuar. Patëm raste të mira, mund të merrnim tre pikët. Lojtarët e mi bënë mirë detyrat që u kisha dhënë, patëm momente të mira, patëm edhe momente pauze ku nuk ishim aktivë, por do të përmirësohemi me kalimin e ndeshjeve.

“Koliçi super? Natyrisht, kreu disa ndërhyrje shumë të mira, por ai është pjesë e lojës dhe e dimë që kemi portier mjaft të mirë. Jam i kënaqur që e kemi në skuadër. Tani mund të flitet për portierin, por nëse Kale e Guri do shënonin në rastet e arta që patën, tani do kishim 3 pikët.

Kemi pasur probleme në skuadër, sepse disa lojtarë nuk kanë qenë mirë fizikisht dhe kanë munguar në stërvitje, disa të tjerë kanë qenë të sëmurë, si Musolli. Edhe Alla sot në mëngjes u bë në gjendje për të luajtur, sepse ka pasur probleme, ndaj në aspektin e formacionit kemi pasur shumë probleme.

“A është një fitore ndaj Julianos? Jo, fitore është kur merr 3 pikët. Gjatë gjithë javës kemi folur shumë me lojtarët, e pamë që ngërçi ishte psikologjik dhe kemi punuar shumë me ta. Zeqiri sot ishte fantastik, për shembull, edhe Kale ishte i shkëlqyer, luftoi pa fund, futej në dyluftime dhe na ndihmoi shumë. Tani duhet vetëm të vazhdojmë kështu si sot”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.