Sergej Milinkoviç-Saviç është ndër lojtarët më të kërkuar në merkato dhe rreth tij ka pasur lajme të shumta. Paraqitjet e tij te Lacio kanë tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha në botë, duke nisur nga Real Madrid, tek Juventus, Mançester Junajtid dhe PSG.
Italianët e vlerësojnë rreth 150 milionë euro, por sigurisht që nëse një klub do të bëjë ofertë konkrete, atëherë presidenti Klaudio Lotito do fliste ndryshe. Ditët e fundit ka pasur shumë zëra mbi të ardhmen e mesfushorit, i cili nuk i është bashkuar akoma skuadrës së Simone Inzagit.
Për të shuar çdo dyshim mbi të ardhmen e Milinkoviç-Saviç te Lacio, ka qenë menaxheri i tij, Mateja Kezhman ai që ka folur për “TuttoMercatoWeb”: “Sergej ka humbur fluturimin për shkak të një aksidenti në Beograd, që shkaktoi trafik. Nuk ka absolutisht asnjë problem, nesër ai do të mbërrijë në Romë për të bërë fillimisht testet mjekësorë dhe më pas do të nisë përgatitjet me skuadrën. Më pëlqen fakti që ka kaq shumë vëmendje rreth tij, por mes meje dhe klubit ekziston një raport shumë i mirë”.