Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, është qetësuar jo pak nga fitorja kundër Kamzës, përtej lojës jo të mirë. Për këtë gjë, Milinkoviç kërkon durim, pasi loja do të vijë, ndërsa në këtë moment rëndësi kanë pikët.
“Jam i kënaqur, sepse reaguam pas humbjes në Superkupë. Psikologjikisht skuadra nuk ishte mirë dhe ndeshjet hapëse janë gjithmonë të vështira. Kamza është një rival i vështirë, ka lojtarë cilësorë dhe ka entuziazëm. Skuadra ishte e rënduar moralisht dhe kjo favorizonte kundërshtarin. Na duhej fitorja, e morëm dhe kjo ka rëndësi në këtë moment.
“Alijev në stol? Fola dje me të dhe i thashë që nuk duhet ta djegim kaq shpejt. E pashë të demoralizuar pas Superkupës, sepse lexoi edhe vlerësimet negative të shtypit për paraqitjen në 45 minutat që luajti ndaj Tiranës, ndaj e lashë në stol, për ta shfrytëzuar në pjesën e dytë. Jam shumë i kënaqur që ai reagoi mirë.
“Pritshmëritë? E di ku kam ardhur dhe çfarë presin prej meje. Nuk kërkoj justifikime, por edhe te Luftëtari nisi të luante futboll të bukur pas javës së shtatë, në fund të tetorit. Girokastra nuk është njësoj me Kukësin. Është më e lehtë të luash futboll të bukur aty ku nuk të kërkojnë objektiva madhorë. Për këtë arsye i kam thënë skuadrës që të luajë e qetë, të bëjë futbollin që di”.