Milinkoviç nxjerr blof Luftëtarin dhe sqaron zërat e merkatos

0

Mladen Milinkoviç, i kërkuar nga shumë klube, por realisht i askujt.

Trajneri serb u zyrtarizua dje se do të vazhdonte me Luftëtarin, por klubi gjirokastrit me sa duket është nxituar. Vetë Milinkoviç, duke folur për “SuperSport”, sqaron pozicionin e tij, duke mohuar marrëveshjen.

“Jo, nuk jam trajner i Luftëtarit. Kur e dëgjova këtë lajm edhe unë u befasova. E vërteta është që askush nga klubi nuk më ka telefonuar, askush prej datës 27 maj. Kisha një opsion në kontratë, që nëse dëshironin të qëndroja të më informonin deri më 30 prill. Klubi më konfirmoi që ishin të kënaqur me mua, por më pas nuk biseduam më për kontratën e re. E vërteta është që brenda atij afati më informuan,  prezent ishte edhe menaxheri im. Vendosëm që të përfundonte kampionati dhe më pas të diskutonim. Kishte edhe një mundësi për të luajtur në Europë, dhe i thashë presidentit që nëse do të luanim ndeshjet ndërkombëtare do të qëndroja edhe për atë periudhë dhe pas sfidave ndërkombëtare mund të gjente një trajner të ri.”

E ARDHMJA

“Nuk është problem të ulem dhe të diskutojmë se cili është projekti i Luftëtarit. Kalova një vit të jashtëzakonshëm në Gjirokastër, të gjithë janë njerëz të shkëlqyer. Por, kërkova të diskutonim për disa ndryshime në klub. Nëse disa gjëra do të ndryshonin, mund të diskutonim për kontratën e re. Megjithatë, siç e thashë askush nuk më ka kontaktuar. Askush përveç Gentjan Norës, por ai është shefi i klubit, jo presidenti. Në çdo klub vendimet i merr vetëm presidenti.”

OFERTAT

“Për momentin gjithçka është në dorën e menaxherit tim. Nuk i telefonoj përditë për ti pyetur nëse më kanë gjetur një skuadër. Kështu punojmë. Ata janë njerëz seriozë: më kanë thënë që të shijoj pushimet dhe nëse do të gjejnë një ofertë të mirë do të më lajmërojnë. Kemi marrë shumë oferta në dy muajt e fundit dhe kompania e menaxhimit po e studion me mjaft kujdes se ku do të shkoj. Në tre klubet e fundit ku kam trajnuar rezultatet kanë qenë mjaft të mira dhe nuk duam të gabojmë në lëvizjen e radhës. Nuk dua thjesht të gjej një punë, sepse është e lehtë dhe mund ta siguroj një kontratë në harkun e dy ditëve. Kam refuzuar tre oferta nga Superliga serbe dhe kompania ime e menaxhimit ishte dakord me vendimin tim. Nuk ishte një opsion i mirë për ne. Po kërkoj një projekt serioz, ku mund të punoj i lirë dhe të arrij rezultate të larta.”

PARTIZANI E KUKËSI

“Kukësi? e pashë edhe unë në gazeta, por ata nuk e kanë kontaktuar menaxherin tim. Me Partizanin kishim kontakte, menaxheri im bisedoi me klubin, por nuk gjetën akordin. Megjithatë, mundësinë që unë mund të drejtoj Kukësin e dëgjoj për herë të parë.”

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.