Milinkoviç nuk preket, Gjici: Mbylleni vitin me fitore, për të marrë rogat!

Trajnerit nuk i pranohet dorëheqja nga presidenti Gjici, i cili e konfirmon deri në janar. Inati me lojtarët: Ju paguaj kot, tre fitore ose nuk ka rroga

Jurgen Zela

Kukësi u mund për të tretën herë këtë sezon në transfertën korçare. Skuadra e Mlladen Milinkoviç nuk arriti që të rrëmbente qoftë dhe një pikë nga fusha e kryesuesve dhe diferenca me ta u thellua akoma dhe më shumë, teksa tashmë Skënderbeu është plot 9 pikë para kuksianëve.

Siç pritej, humbja është pasuar nga një mbledhje urgjente që në orët e para të paradites së djeshme. Që në orën 09:00 stafi teknik, ai administrativ dhe lojtarët janë paraqitur në zyrën e presidentit Safet Gjici. Kritika dhe ultimatume të pritshme, por pa masa si për trajnerin ashtu dhe për futbollistët.

MILINKOVIÇ – Mund ta konsiderojë si trajneri më me fat në drejtimin e Kukësit, pasi në epokën e tij presidentit Gjici i është shtuar durimi. Dje në mëngjes, tekniku serb i ka kërkuar hapur dorëheqjen, por bosi i kuksianëve nuk i e ka pranuar, duke i paraqitur dhe një herë besimin e tij të verbër. Tre humbje me tre rivalë direkt, 9 pikë nga kreu, megjithatë puna e tij duket se i mjafton presidentit Gjici, i cili në këtë pikë i sheh ata fajtorë për rezultatet e dobëta. Trajneri shfaqi vullnetin e tij dhe pas humbjes me Partizanin për t’u larguar, por siç mësohet e ka menduar dhe më parë si mundësi largimin, por ka gjetur gjithmonë kundërshtimin e presidentit Gjici. Vetë trajneri ka kërkuar largimin pa asnjë dëmshpërblim, por sërish nuk ka pasur konfirmimin e Gjicit. Së paku deri në janar Milinkoviç do të jetë trajneri i Kukësit dhe ndeshjet e ardhshme do të jenë mjaft vendimtare pasi nëse do të marrë 9 pikë përballë Lushnjes, Luftëtarit në shtëpi dhe Teutës në Durrës me shumë gjasa do të jetë sërish pjesë e Kukësit, por në të kundërt Kukësi do të nisë kërkimet për një trajner të ri.

LOJTARËT

Ka zgjatur për disa orë mbledhja në zyrat e klubit në Tiranë. Presidenti Safet Gjici ishte dukshëm i mërzitur pas ndeshjes, por nervat nuk i kishin rënë dhe pas ndeshjes. Me tone mjaft të ashpra i ka kritikuar pa fund lojtarët e tij. “Ju i merrni lekët kot, çfarë bëni ju? Skënderbeu nuk luajti, ju çfarë bëtë? Goli i dytë ishte skandaloz”, mësohet t’u ketë thënë ndër të tjerash numri 1 i skuadrës lojtarëve. Në një situatë mjaft të tensionuar, Gjici ka refuzuar të fajësojë trajnerin dhe ua ka bërë të qartë lojtarëve se duhet t’i harrojnë rrogat nëse nuk marrin 9 pikë deri në fund të vitit: “Dua tre fitore, ose nuk ka paga”.

REPLIKA

Nuk kanë munguar as replikat e disa prej futbollistëve. Në një moment të caktuar një nga futbollistët i ka thënë presidentit se skuadra nuk është e kompletuar. Lojtari i ka thënë presidentit që duhet skuadra, për të qenë pretendente. Një fjali shumë e shkurtër që ka gjetur mbështetjen e një pjese të madhe të futbollistëve. Nuk i ka pëlqyer aspak presidentit diçka e tillë, pasi ai gjithnjë ka deklaruar se ka një skuadër më të mirë se edicionin e shkuar, por rezultate nuk po i japin të drejtë. Pas më shumë se 2 orësh lojtarët janë lënë të lirë, por situata nuk duket aspak e mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online