Kukësi-Skënderbeu nuk është më një ndeshje e zakonshme, pasi dy rivalët e viteve të fundit kanë një llogari të hapur që pas përballjes së sezonit të fundit, që vendosi titullin kampion në Kukës.
Gjithsesi, trajneri i Kukësit Mladen Milinkoviç i bën bisht debatit të sezonit të shkuar dhe e sheh si një ndeshje normale, ku shpreson shumë te mbushja e stadiumit: “Ndeshja – “Do të jetë një takim mjaft i vështirë, pasi luajmë kundër Skënderbeut. Një skuadër që ka bërë mirë në Europë dhe në kampionat. Gjithsesi, duam vetëm fitoren, më pas, në varësi të rezultatit dhe si do shkojë loja, do të themi nëse do të jemi të kënaqur apo jo. Kthimi i tifozëve është një lajm i mirë, sepse do të na ndihmojnë për të arritur rezultatet e duhura. Edhe lojtarët do të japin maksimumin edhe për tifozët. Shpresoj që në këtë ndeshje të luajmë futboll të bukur dhe të marrim fitoren. Akoma nuk jemi në atë pikë që dëshirojmë edhe pse jemi përmirësuar nga ndeshja në ndeshje”.
Kukësi ka pasur probleme me dëmtimet kohët e fundit: “Jemi detyruar të ndryshojmë formacionin nga njëra sfidë në tjetrën për shkak edhe të dëmtimeve të shumë lojtarëve. Megjithatë, ekipet kanë shumë lojtarë në dispozicion, pikërisht për të përballuar dëmtimet dhe pezullimet”.
Problem madhor mbetet terreni në Zeqir Ymeri: “Kukësi duhet të luajë në fushën e vet. Mendoj se do të ishte mirë që të rinovohej dhe skuadra të luante në një terren më të mirë”.
Plani për ndeshjen e së hënës: “Rëndësi ka që të mos bëjmë gabime në mbrojtje dhe të mos i falim ndonjë gol Skënderbeut, i cili është një ekip që po kalon një formë shumë të mirë. Mbrojtja të jep kampionatin, ndërsa sulmi të jep fitoren. Nëse nuk pësojmë do të ishte shumë mirë, sepse ne jemi skuadër që duam të shënojmë një gol më shumë se kundërshtari”.
Mbetet shqetësim fakti që sulmuesi kryesor Alijev nuk ka shënuar ende: “Akoma nuk ka nisur të japë në fushë atë që di të japë, por shumë shpejt do të tregojë se sa vlen. Lojtari më i rrezikshëm i Skënderbeut? Mund të veçoj Souenë, por gjithashtu Skënderbeu ka ruajtur grupin e lojtarëve dhe kjo e bën shumë të rrezikshëm”.