Kukësi dhe Tirana do të luajnë nesër në mbrëmje ndeshjen e parë sezonale, ku do të diskutojnë Superkupën e Shqipërisë. Në kampin kuksian janë gati që ta nisin me trofe dhe në konferencën prag ndeshjes, trajneri i Mlladen Milinkoviç i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ku ka folur rreth gjendjes së skuadrës së tij, presionit që ka ky takim, por dhe kundërshtarit. Për teknikun serb fakti që bardheblutë vijnë me statusin e një skuadre që sezonin e ardhshëm do të luaj në kategorinë e parë mund të jetë jopozitive, duke kërkuar nga lojtarët e tij përqendrim maksimal. Favorit? Tirana luan në fushën e saj.
NDESHJA – “Na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, besoj për të dyja skuadrat. Ne pavarësisht se e respektojmë Tiranën për historinë e saj, në këtë takim do të futemi për të fituar Superkupën. Unë dua nga lojtarët e mi, që të luajnë mirë, të marrim rezultatin që dëshirojmë. Nuk diskutohet që do të jetë një ndeshje që ka presion, por u kam thënë lojtarëve të mi që gjithë përgjegjësinë e marr unë përsipër, dal unë përpara. Ata duhet vetëm të luajnë futboll”.
PRESIONI – “Ne kemi objektiva madhorë këtë sezon. Nga njëra anë presioni është mirë, të mban vazhdimisht në ritëm. Unë dua që lojtarët të kenë presionin pozitiv dhe jo atë negativ, me qëllimin që të japin gjithçka që kanë mundësi të japin”.
SKUADRA – “Ne morëm lojtarë atje ku lojtarët ishin larguar. Ndryshimet janë në mesfushë dhe në sulm. I kemi të gjithë lojtarët në dispozicion me përjashtim të Musollit, i cili është në grumbullimin me përfaqësuesen e Kosovës. Në varësi të aktivizimit të tij me Kosovën, varet dhe aktivizimi i tij me ne. Nëse ai luan sot, atëherë nesër do e lëmë pushim. Të gjithë lojtarët janë në gjendje shumë të mirë dhe besojmë se do të na ndihmojnë për të marrë rezultatin që ne dëshirojmë”.
MODULI – “Ndryshimi i skemës nuk më thotë shumë gjëra, pasi mund të luash 4-3-3 dhe mund të mos luash futboll sulmues. Për mua ajo që ka rëndësi është të luajmë një futboll të shpejtë dhe të qarkullojmë topin. Përmes një futbolli të shpejtë dhe të bukur të marrim dhe një rezultat të dëshirueshëm. E sigurt që mund të duhen dhe dy-tre ndeshje që ata të harmonizohen më shumë me njëri-tjetrin. Nëse do të jenë në një nivel të mirë, do të marrim fitoren”.
TIRANA – “Ndonjëherë fakti që luajmë përballë një skuadre të Kategorisë së Parë dhe sidomos Tiranës, mund të mos jetë diçka e mirë. Lojtarët duhet të jenë të përqendruar në këtë ndeshje, pasi Tirana ka histori në futbollin shqiptar, pasi ka më shumë tituj se askush tjetër. Ndeshja luhet në fushën e saj, dhe në këtë pikë Tirana mund të jetë më superiore në këtë drejtim”.