Tekniku serb flet para ndeshjes me Kamzën, duke treguar se në këtë ndeshje fitorja duhet me çdo kusht, për të rikthyer qetësinë
Jurgen Zela
Aventura në Kukës nuk ka nisur mirë për teknikun Mlladen Milinkoviç, i cili në debutimin e tij, nuk arriti që të triumfonte në Superkupë. Gjithsesi, tekniku serb duket se di ta përballojë mirë presionin dhe sheh përpara, ku ndeshjen me Kamzën do të tentojë të bëjë autokritikë, duke synuar që të arrijë një rezultat bindës për të kënaqur mbështetësit kuksianë. I vetëdijshëm për forcën që mund të ketë kundërshtari, timonieri i kuksianëve nuk harron të përmendë në intervistën për “Sport Ekspres” faktin se diferencat mes skuadrave janë ngushtuar shumë. Gjendja e fushës? Normalisht, asgjë në dorën e tij, pavarësisht se do të kishte pëlqyer një fushë me gjendje më të mirë.
-Pas humbjes me Tiranën, vjen menjëherë ndeshja me Kamzën. Si e prisni këtë takim?
– Ndeshja e Superkupës ishte e dobët për të gjithë ne. Kjo jo vetëm sepse humbëm, por dhe se nuk luajtëm mirë. Besoj se të gjithë kemi marrë mësim nga ajo ndeshje dhe nuk do të ndodhë më. Të gjithë e dinë se ndeshjet e para janë të vështira dhe besoj se lojtarët do të japin maksimumin për të arritur tek fitorja, që na duhet patjetër. Që të fitojmë duhet të japim maksimumin, pasi do të luajmë ndaj një ekipi që rikthehet në Superiore pas disa vitesh dhe do të synojë me çdo kusht që të marrë një rezultat pozitiv. Nga ana tjetër luajmë në fushën tonë, para tifozëve tanë, ndaj duam një fitore bindëse që t’i kënaqë të pranishmit që do jenë në stadium.
-Pamë që në ndeshjen e shkuar skuadra nuk ishte plotësisht e harmonizuar. Ishte thjeshtë presioni i asaj ndeshjeje, apo ekipit i duhet ende kohë për ta arritur pritshmëritë tuaja?
– Sigurisht ekipi nuk është 100% i harmonizuar, pasi disa lojtarë kanë shumë pak kohë me skuadrën. Në këtë moment asnjë skuadër nuk ka harmonizim të plotë. Besojmë që për dy-tre javë Kukësi do të jetë një skuadër e kompletuar dhe e harmonizuar. Do të jemi 100% gati për të përballuar çdo ekip të Superiores. Për ne është shumë e rëndësishme që të marrim një fitore nesër, me synimin që të jemi të qetë më pas.
-Vetëm 2 ditë për ta përgatitur këtë takim. Si është gjendja e skuadrës në aspektin psikologjik?
-Natyrisht që asnjëherë nuk ndihesh mirë kur humbet një ndeshje finale. I vjen keq një tifozi, jo më një lojtari që është puna e tij. Kemi një skuadër me eksperiencë dhe serioze, ndaj duhet të përballojë dhe këtë humbje. Ju thashë dhe para stërvitjes se duhet ta harrojmë ndeshjen e Superkupës. Duhet të nxjerrim mësimet tona nga ajo ndeshje, por duhet ta harrojmë që të mund të fitojmë. Nëse do e mbajmë mendjen te ndeshja me Tiranën, do të jetë shumë e vështirë që të fitojmë. Besojmë se tifozët e Kukësit do të jenë lojtari i 12-të, që në këtë moment skuadra ta përballojë me sukses këtë ndeshje.
-Është fitorja ndaj Kamzës një kusht i presidentit Gjici?
-Nuk është e nevojshme që të jetë kusht nga presidenti, fitoren e kërkon vetë ekipi. Kukësi gjatë gjithë vitit të kaluar bëri një humbje dhe tani nuk mund të bëjë dy humbje në dy ndeshje.
-Kamza vjen nga Kategoria e Parë, një skuadër që ka ndryshuar shumë. Sa i druheni kësaj skuadre?
-Është e sigurt se Kamza do të vijë me oreks të madh për të luajtur. E dyta kanë bërë merkato të mirë. Nuk është vetëm Kamza, pasi mendojmë se kampionati i këtij sezoni do të jetë akoma më i fortë se ai i vitit të shkuar. Do të kemi ekipe të barabarta. Lojtarët që kanë sjellë të gjitha ekipet, shikoni Skënderbeun, Partizanin, Teutën, Laçin, Vllazninë, Flamurtarin që ka një ekip shumë të mirë, tregojnë se do të jetë një kampionat jashtëzakonisht i fortë. Të gjitha skuadrat kur luajnë me skuadra të mëdha si Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu, duan gjithnjë të fitojnë.
Ju pret një kalendar i ngjeshur dhe në ndeshjen e fundit pamë që kryet vetëm një zëvendësim. E ka Kukësi organikën e plotë për të përballuar dhe Kupën dhe kampionatin?
-Ne do i marrim ndeshjet një e nga një. Sapo të mbarojë ky takim do të shohim ndeshjen e radhës. Sigurisht kemi lojtarë mjaftueshëm për ta freskuar ekipin, për të qenë gati për ndeshjen me Partizanin.
-Si ju duket gjendja e fushës së stadiumit?
– Fusha është kjo, nuk mund ta ndryshojmë dot, si për ne ashtu dhe për kundërshtarin. Do preferonim një fushë me bar, të ishte më e mirë, por këto janë kushtet. Këtu ka luajtur dhe vjet Kukësi dhe pati rezultate të mira, kështu që nuk është justifikim.
Ndeshja e parë në Kukës. Keni një thirrje apo premtim për tifozët?
-Kam pasur rastin që në sezonin e shkuar të jem këtu si kundërshtar dhe kam vënë re se tifozët e Kukësit ishin ata që e mbështetën ekipin në disa momente të vështira dhe e ndihmuan që të shkonte drejt fitores. Presim që ta mbushin stadiumin dhe të mbështesin ekipin që ta nisim mbarë.