Alesio Romanjoli është frenuar në stërvitje. Më specifikisht, në seancën e fundit përpara ndeshjes me Kievon, të zhvilluar pasditen e së shtunës. Ashtu siç është raportuar nga “Sky Sport”, mbrojtësi i Milanit ka ndjerë një shqetësim të vogël fizik.
Kapiteni kuqezi ka qenë normalisht i grumbulluar nga trajneri Gatuzo për sfidën e sotme në orën 15:00. Megjithatë, aktivizimi i tij është në dyshim, për faktin se stafi kuqezi mund të vendosë të mos e rrezikojë, edhe sepse tashmë vjen edhe periudha e ndeshjeve ndërkombëtare.
Disa orë përpara ndeshjes me Kievon, Romanjoli do të zhvillojë disa teste dhe më pas pritet të vijë edhe vendimi i trajnerit Gatuzo dhe i stafit të tij mjekësor. Në rast se lojtari nuk do të jetë në gjendje optimale të luajë – dhe për shkak të mungesës së Matia Kaldaras për shkak dëmtimi – drejtuesi i stolit të “Djallit” mund të vendosë që përkrah Mateo Musakios të aktivizojë Kristian Zapatën.
Në këtë mënyrë, për Romanjolin do të jenë vendimtare testet e së dielës. Gatuzo nuk dëshiron që ta humbasë kapitenin për një kohë të gjatë dhe më e rëndësishmja në këto situata është të bëhet kujdes.