Drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio ka folur për “Sky Sport”, gjatë promovimit të librit “Mjeku i futbollit”, të doktorit të zikaltërve Piero Volpi. Auzilio ka prekur tema të ndryshme, duke filluar nga derbi i Milanos, e deri tek lojtarë të ndryshëm të ekipit dhe kontratat e tyre.
DERBI – “Inter është i vetëdijshëm për punën që duhet të bëjë. Vitin e kaluar kishim objektiv kualifikimin në Champions dhe ia dolëm. Po i shijojmë në maksimum të gjithë kompeticionet. Skuadra e javëve të fundit është baza për ndërtimin e një skuadre më të fortë në të ardhmen. Kemi 6-7 lojtarë të rinj dhe ishte normale të hasnim vështirësi në fillim. Po përmirësohemi dhe po e shfaqim kualitetin e kontingjentit. Duam të bëjmë gjithmonë e më mirë, duke filluar që nga derbi me Milan.”
KARAKTERI I SKUADRËS – “Ky Inter ka karakter, por jo vetëm. Me karakter arrihen gjëra të mira, por nevojitet dhe cilësia dhe mendoj që Inter e ka shfaqur në ndeshjet e fundit. Nuk arrihet fitorja vetëm me vendosmëri, por ne e kemi atë, ta mbajmë mirë dhe të përmirësohemi më shumë.”
BROZOVIÇ, D’AMBROZIO, VËRSALJKO – “Kanë qëndruar këtu për të punuar dhe për t’u kthyer në formë. Për Vërsaljkon kemi patur një bashkëpunim të mirë me Kroacinë. Brozoviç po rikuperohet, ndërsa D’Ambrozio ka probleme me gjurin, por nuk është asgjë serioze. Lojtari do të jetë në dispozicion të Spaletit për ndeshjen derbi.”
KEITA BALDE – “Të gjithë lojtarët mund të përmirësohen, nuk është një çështje individësh. Lojtari mori pjesë në Botëror dhe i duhet kohë për të gjetur formën më të mirë. Keita u bashkua me ne në ditët e fundit të merkatos dhe nuk ishte në gjendjen më të mirë. Jam i bindur që do të rezultojë një blerje e shkëlqyer, sepse ka shumë cilësi.”
RINOVIMI I IKARDIT – “Ne duam të rinovojmë kontratën me kapitenin tonë, por nevojitet bashkëpunim. Ai ka dhe tre vite kontratë me ne, kështu që nuk kemi nevojë të nxitohemi. Gjërat mund të bëhen brenda ditësh, ose brenda muajsh.”
PAKETA TE MILAN – “Jemi në fazën e monitorimit të lojtarëve të ndryshëm. Do të jemi gati të përforcojmë skuadrën në vitin 2019. Shoqëria është shumë e ndjeshme dhe e gatshme në këtë sens.”
BROZOVIÇ-MODRIÇ – “Pothuajse e kemi mbyllur me rinovimin e Brozoviç. Sa i përket Lukës, është e pamundur ta blejmë në janar. Po shohim për ndonjë afrim me parametër zero dhe e dimë ku të kërkojmë. Gjëja më e rëndësishme për merkaton e ardhshme është cilësia dhe aty do kërkojmë të përforcohemi.”