Mici e Lilaj, “gjah” për Shkëndijën

Skënderbeu është në ankth për vendimin e CAS-it, që pritet në ditët në vazhdim: nëse korçarët do të marrin dritën jeshile për të marrë pjesë në kualifikueset e Champions League këtë verë, projekti vazhdon normalisht dhe askush nuk do të largohet, përveç rasteve kur ka oferta joshëse nga jashtë, si në rastin Abazaj. Nëse CAS vendos që Skënderbeu është jashtë Europe, gjithçka ndryshon, sepse vihet në dyshim gjithçka dhe është e sigurt që lojtarët më të rëndësishëm do të largohen, si për shkak të pagave të larta, ashtu edhe për mungesën në Champions. Këtë situatë po e monitorojnë me kujdes disa klube brenda e jashtë Shqipërisë, por pakkush e ka fuqinë financiare dhe aftësinë joshëse të Shkëndijës, nga klubet shqiptare. Kuqezinjtë nga Tetova janë kthyer në padronët e kampionatit maqedonas, kanë një skuadër shumë cilësore, që premton shumë dhe që synon të kapë grupet të paktën në Europa League. Për t’ia dalë mbanë, nuk do të shitet askush dhe ‘Sport Ekspres’ mëson se Shkëndija kërkon edhe përforcime serioze, duke nisur nga dy emra të Skënderbeut, Gledi Mici dhe Sabien Lilaj.

MICI – Mbrojtës i majtë, 27 vjeç, eksperiencë pa fund në Superiore, tashmë edhe kampion Shqipërie, trofeu që i mungonte. Para pak muajsh vetë Mici deklaronte se nuk largohej nga Skënderbeu pa fituar titullin, objektiv që e ka përmbushur, ndërsa tashmë është gati për një hap përpara, duke u transferuar jashtë vendit. Mosha është perfekte, momenti është i duhuri, por natyrisht largimi nga Skënderbeu nuk do të bëhet me sherr. Së pari duhet pritur çfarë do të ndodhë me klubin korçar, sepse nëse Skënderbeu do të marrë pjesë në kualifikueset e Champions League këtë verë, Mici do të jetë një ndër lojtarët që do të kontaktohet për rinovim, duke qenë se kontrata i ka përfunduar. Këtu shpreson të futet në lojë Shkëndija, që natyrisht financiarisht nuk është inferiore ndaj Skënderbeut dhe ka ambicie po aq të mëdha sa kampionët e Shqipërisë. Mbrojtja dhe mesfusha janë repartet ku Shkëndija do të punojë më shumë këtë verë dhe një emër si Mici do të ishte një goditje e rëndësishme.

LILAJ – Nëse Mici nuk është shpërblyer ende me grumbullim në kombëtare për sezonet e tij të mira, Lilaj është rasti i kundërt, sepse ka vite që është pjesë e kuqezinjve, edhe pse asnjëherë titullar fiks. Mesfushori 29-vjeçar është pjesë e kombëtares në këtë moment, por natyrisht që mendon edhe për të ardhmen dhe pas 6 titujsh kampionë në Shqipëri, është gati të provojë sërish aventurën jashtë Shqipërie. Mosha e tij nuk e lejon që të synojë kampionate shumë cilësore, por ka shumë klube që mund t’i ofrojnë shifra të jashtëzakonshme, nga Shkëndija deri në klube kazake e ruse. Për afërsinë me Shqipërinë, Shkëndija do të ishte e preferuara dhe Lilaj natyrisht nuk do ta refuzonte një ofertë serioze nga Tetova, por ashtu si Mici, edhe Sabieni pret me qetësi fatin e Skënderbeut. Me Europë, zor se Lilaj do të lejohet të largohet dhe Takaj do t’i bënte një tjetër ofertë të parezistueshme. Gjithsesi, gjithçka është ende pezull dhe kjo është arsyeja pse Shkëndija nuk ka dalë hapur, duke pasur vetëm interesim dhe ngacmim në distancë, në pritje të së ardhmes së Skënderbeut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online