“Mezi pret të zbresë në fushë”, ëndrra e Dorian Tahirllarit dhe thirrja për ndihmë

Dorian Tahirllari është një nga ata shumë të rinj që futbollin mund ta lërë në hapat e parë dhe kjo për shkak të një sëmundjeje të shfaqur. I riu 17-vjeçar po lufton me tumorin dhe tregon se si e zbuloi gjithccka.

“Në shtator vura re që njëri testikul ishte ënjtur dhe më pas erdha në shtëpi dhe i tregova familjarëve. Shkuam në spital, ata më thënë të shkoja në Tiranë, ku bëra operacionin. Doktori më tha që nuk kisha nevojë për kimio, s’ka probleme dhe mund të shkoja edhe në stërvitje”, rrëfen Dorjani, i cili kishte nisur stërvitjen.

Por beteja me sëmundjen nuk ishte fituar, madje situata ishte rënduar.  “Filloi një dhimbja mesi dhe e lashë stërvitjen. Më thanë të operohesha sërish dhe shkuam në Maqedoni. Atje panë qe e kisha edhe në kurriz edhe në stomak”, shton i riu, i cili ëndërron të rikthehet të luajë futboll. “Kam dy muaj pa luajtur, do doja të kthehesha që nesër. Por sa të kalojmë këtë”, përfundon ai.

Nëna e Dorianit, në lot tregon se janë ndihmuar deri më tani nga familjarët dhe miqtë e të birit. Gjithsesi: “Na kanë ndihmuar motrat dhe vëllezërit, edhe shokët e Dorianit janë organizuar të gjithë dhe na kanë ndihmuar. Edhe fshati këtu na e ka dhënë një dorë, ndaj i falënderoj. Sportin e ka ëndërr, mezi pret të shkojë në fushë”.

Doriani, për ta fituar këtë betejë sigurisht që ka nevojë për mbështetje dhe ndihmë nga të gjithë. Kurimi i tij kushton dhe është i papërballueshëm nga familjarët. Skënderbeu, së bashku me kompaninë “BBS & BliniBileta T-Ticket”, dhanë kontributin e tyre, teksa të ardhurat e arkëtuara nga shitja e biletave për ndeshjen Skënderbeu-Tirana, shkuan pikërisht për Dorianin.

Solidarizim ka edhe nga personalitet të ndryshme dhe nga ekipe të tjera moshash, si shkodranët e AAS: “Ne, djemtë, vajzat, trajnerët dhe stafi i AAS bëjmë thirrje të gjithëve për t’u solidarizuar me ne të kontribuojmë sado pak për Dorianin, lojtarin e talentuar 17-vjeçar të KF Skënderbeu, i cili kërkon vetëm të jetojë duke vijuar të luajë futboll. Për ta ndihmuar më poshtë gjeni numrin e telefonit dhe adresën e llogarisë së familjes së tij: Nr tel:- 0695273438, Banka Intesa Sanpaolo,  Numër Llogarie 63535538001 IBAN; AL542084106700000”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *