Vlonjati tanimë nis një aventurë larg qytetit të tij, si trajner i parë dhe pa “hijen” e askujt nga pas
Vladimir Prenga
Stavri Nica e paralajmëroi largimin nga Laçi që pas humbjes në Kukës, teksa pas ndeshjes durrsaku i pankinës kurbinase u shpreh se do të rishikonte pozicionin e tij dhe gjithçka u mbyll aty, me Laçin që tashmë e ka gjetur trajnerin e ri. E hëna ishte pushim për bardhezinjtë, ndërsa dje ka ardhur edhe zyrtarizimi i Gentjan Mezanit në krye të bardhezinjve. 41-vjeçari ka punuar kryesisht te moshat e Flamurtarit, ndërkohë që në tre periudha të ndryshme ka qenë në krye të ekipit të parë, duke regjistruar lojëra dhe rezultate të mira. Tashmë për të ka ardhur momenti të provojë vetën në një eksperiencë të re në krye të skuadrës së Laçit, që e zgjodhi vlonjatin për pjesën tjetër të sezonit. Vetë Mezani e priste një ofertë dhe tashmë që i erdhi nuk e hodhi poshtë dhe do të drejtojë bardhezinjtë. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, vlonjati deklaroi: “Kisha kohë që prisja një ofertë për të drejtuar në Superiore. Ka pasur disa pista për mua, por që për arsye të ndryshme nuk u konkretizuan. E pranova me kënaqësi kërkesën e presidentit Laska për të drejtuar Laçin dhe uroj që gjithçka të shkojë më së miri. Gjatë kësaj periudhe e kam ndjekur ekipin, i kam parë që të tria ndeshjet dhe them se e njoh deri diku skuadrën. Në seancën e parë pashë shenja të mira, por në futboll ka shumë komponentë që ndikojnë dhe do na duhet edhe pak fat. Në skuadër ka lojtarë të rinj dhe me eksperiencë, të cilët kanë ‘uri’ për të fituar, ashtu si unë si trajner. Pra motivimi nuk do të na mungojë dhe shpresojmë që të bëjmë mirë dhe të realizojmë objektivat e klubit”, u shpreh trajneri Mezani, që tashmë do të duhet të tregojë vlerat e tij në Superiore larg Vlorës. Dje ai është prezantuar përpara ekipit dhe ka drejtuar seancën e parë, ndërkohë që ka bërë të ditura kërkesat e tij përballë lojtarëve, për të vijuar më pas me programin stërvitor. Sot skuadra do të luajë ndeshjen e dytë në Kupë ndaj Sopotit, një sfidë për të kaluar radhës, pasi ndeshjen e parë kurbinasit e kanë fituar me rezultatin 12-0.
GRUPI – Në seancën e djeshme me ekipin është stërvitur edhe mbrojtësi Harallamb Qaqi, ndërkohë që ka shenja të mira edhe nga Rexhinaldo, që ka zbritur në fushë, por është përgatitur i diferencuar, duke lënë palestrën. Edhe braziliani Maikon Eskerda është gati. Mesfushori nuk luajti në ndeshjen me Kukësin, edhe pse kishte udhëtuar me skuadrën. Një shqetësim në këmbë ka bërë që të mos rrezikohet me të, ndërkohë që dje ka punuar së bashku me grupin, duke dhënë sinjalin e qartë se është gati për lojë. Një problem i vogël për Gjonin dje, që pas një përplasjeje në ajër ka çarë vetullën, por nuk shqetëson për ndeshjen e radhës në kampionat.