Fitore me përmbysje, forcë karakteri dhe shkëputje nga zona e rënies nga kategoria. Gentian Mezani nuk ka si të mos jetë i kënaqur me fitoren 2-1 të Luftëtarit përballë Tiranës. Në emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, trajneri i gjirokastritëve nuk e fshehu kënaqësinë për provën e dhënë nga bluzinjtë.
“E nisëm mirë lojë, por kërkuam të bënim lojë në pjesën e parë, jo të fitonim. Pas pësimit të golit, ndoshta prej mungesa e eksperiencës së Demos dhe shpërqendrim i disa lojtarëve, nuk reaguam si duhej. Në pjesën e dytë e kërkuam ta fitonim ndeshjen dhe ia arritëm, pasi Tirana është një skuadër e vështirë, që mund të na ndëshkonte”.
“Liçaj nuk është ende në 100 për qind dhe zgjedhja e Demos ishte mjaft e mirë. Pavarësisht momentit të golit. Nuk i ka luajtur 90 minuta dhe nuk e ka ritmin e lojës, por jam jashtëzakonisht nga prova e këtij lojtari të ri si Demo”.
“Duke parë ndeshjet e Tiranës në përgjithësi, forma që po kalonte kundërshtari na ndihmoi. Folëm shumë në dhomat e zhveshjes kur ishim në disavantazh. Por, më tepër na ndihmoi besimi që kemi te lojtarët tanë, të cilët kanë cilësitë dhe kualitetin. Po të luajmë gjithmonë kështu jemi të pathyeshëm”.
“Shkurtaj mund të shitet? Nëse do të ishte fitimprurëse për klubin dhe një kontratë të majme për Shkurtajn, përse të mos largohet. Mendoj se duhet të shohë me patjetër përpara. Nuk është çështje se ulën shpenzimet e klubit, por nëse ka përfitime me të ardhura duke shitur lojtarë, shpresoj që Shkurtaj të ndjekë rrugën e Bregut dhe Abazajt. Do të ishte mirë për të gjithë, Luftëtari do të gjente një tjetër golashënues”.
“Gjendja e Rrocës? Rroca është ende mbrapa me përgatitjen, sepse ka qëndruar katër muaj jashtë fushës. Por, me cilësitë e tij, edhe me 70 për qind të formës na ndihmon shumë dhe kjo duket. Shpresoj të jetë gati sa më shpejt, por në formë optimale besoj që do të jetë vetëm në janar, sepse ndeshjet do të jenë shumë të ngjeshura”.