Mezani: Barazimin në shtëpi e quaj humbje, ndikojnë lodhja dhe presioni

Gentian Mezani foli për “Supersport” në emisionin “Gol pas Goli”. Numri një i bluzinjve analizoi humbjen me Kukësin, duke treguar se skuadra mund të mos kishte dalë pa pikë në këtë takim me pak kujdes.

HUMBJA – “Na vjen keq, pasi ishte një pikë që na vlente shumë deri në atë moment. Nuk duhet harruar që luajtëm me 10 lojtarë në pjesën e dytë. Mbase nuk bëmë aq sa duhej për ta marrë këtë pikë. Ndikoi dhe lodhja, pasi ishim në inferioritet numerik. Një mos përqendrim, apo një mos shtrëngim në fund dhe u ndëshkuam sërish”.

SITUATA – “Kur je në këtë pozitë dhe në këtë pikë të kampionatit, lodhja, ose ndoshta edhe presioni, ndikojnë dhe rrisin nervozizmin në skuadër. Kam folur gjatë gjithë javës me lojtarët. Po gabojmë dhe po ndëshkohemi nga gabimet individuale, por duhet të bëjmë më shumë për të marrë diçka më tepër. Nuk mund të vëmë fajin vetëm te dikush, pasi kur fitojmë dhe kur humbasim, humbasim të gjithë”.

TAKTIKA – “Kur futa një lojtar difensiv u ndëshkova. Jo për faj të Rapës, mos të keqkuptohemi. U mundova që të vendoja në lojë mbrojtësit që kisha në stol, për të mbrojtur rezultatin, por nuk ia arritëm. Nuk vuajtëm shumë në mbrojtje. Duhet të kemi pak më shumë besim, pasi nuk është ky Luftëtari që mund të humbasë në Gjirokastër. Ne mund të shënonim edhe me 10 lojtarë, pasi patëm raste edhe kur ishim 0-0”.

“Kemi nisur përgatitjet në fillimin e qershorit. Tjetër arsye është dhe tensioni, për pozicionin ku jemi. Duke analizuar ndeshjen, do të dalim në konkluzionet tona”.

E ARDHMJA – “Nuk kam folur për merkaton dhe nuk është arsye e tundimit se dikush mund të largohet apo jo. Ato që janë sot, kanë një kontratë. E kam shprehur se kam lojtarë shumë të mirë. Kemi dhe tre ndeshje dhe më pas do të bëjmë bilancet tona dhe do të shohim ku kemi arritur dhe objektivin final. Më pas do të flasim për këtë pjesë. Kam lojtarë që mund të japin më shumë dhe e kanë shprehur edhe më parë. Të vjen keq që të humbasim në shtëpi. Barazimin e quaj humbje këtu”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *