Gjashtë fitore në tetë javë të kampionatit, dhe rezultati i shtatë pozitiv me radhë. Vetëm një humbje e pësuar (ajo në Korçë në javën e parë) dhe një gol i pësuar. Të vetëm në krye të renditjes dhe të kthyer në një prej pretendentëve kryesorë drejt titullit kampion.
Titulli, pikërisht ajo fjalë që te Partizani nuk pranojnë t’a artikulojnë. Nga trajneri Gega, te stafi teknik dhe për të vazhduar me lojtarët. Askush nuk dëshiron të bëjë premtime të mëdha dhe afatgjata. Një mënyrë për të mbajtur larg euforinë, por edhe për t’u kujdesur, që ekipi të mos hyjë në presion të panevojshëm.
Mentalitet profesionist dhe sjellje e denjë për një klub të madh. Trajneri Gega ka ndryshuar shumëçka te Partizani i këtij sezoni. Nga sjellja në fushë me kundërshtarët dhe zyrtarët, te respekti për vendimet e arbitrave, edhe nëse do të thotë se në ndonjë rast ato mund ta penalizojnë skuadrën dhe ndalimi i çdo lloj polemike gjatë apo pas ndeshjeve. Krejt ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e fundit.
Ndryshime që kanë dhënë rezultat, sepse ekipi nuk shpenzon energji për të gjetur fajtorë, akuza dhe debate, por mbetet i përqendruar vetëm te ndeshjet në fushë. Aty ku po prodhon ndoshta futbollin më të mirë të kampionatit, duke vënë në vështirësin rivalët me presingun e lart dhe daljet e shpejta të yjeve Mala, Bardhi e Asani.
E të mendosh që në fillim të sezonit, pakkush besonte te ky Partizan. Pakënaqësia mes tifozëve ishte e dukshme për mungesën e emrave të mëdhenj, edhe trajneri Gega e pohoi disa herë se mund të kishte dashur yje në dispozicion. Ndonjë përforcim e kërkoi edhe pas fitores me Kukësin. Për të përmirësuar atë që deri më tani po e bëjnë shumë mirë. Partizani argëton, fiton dhe duket për titull, edhe pse… te të kuqtë këtë preferojnë ta thonë nën zë. Ndoshta është më mirë kështu!