Aleks Ferguson është një legjendë e gjallë e Mançester Junajtid. Skocezi drejtoi klubin e famshëm anglez për 27 vite rresht, duke sjellë trofe pafund në Old Trafford.
Edhe pse u tërhoq në vitin 2013, Ferguson nuk mund të qëndrojë larg ekipit të zemrës. Fjala e tij është “ligj”, por para pak vitesh nuk e dëgjoi kush kur insistoi që Junajtid duhet të investonte te Herri Meguajër.
Mbrojtësi mund të vinte për një shumë modeste krahasuar me 80 milionë eurot që “djajtë” pritet të paguajnë në arkat e Leister Sitit. Gjithsesi, drejtuesit e klubit kanë një mundësi për të korrigjuar gabimin.
Ferguson ka një tjetër këshillë. Sër Aleks i kërkon Junajtid që të investojë te Xhon KekGin, mesfushori i Aston Vilës. 24-vjeçari do të provojë për herë të parë emocionet e Premier Ligës këtë sezon.
Klubi nga Birmingami kërkon 50 milionë sterlina për kartonin e mesfushorit të Skocisë (numëron 15 ndeshje me kombëtaren), ndërsa Ferguson shtyn Junajtid që të investojë te ky lojtar.
The Sun raporton se MekGin i pëlqen shumë ish-trajnerit të madh dhe ai e cilëson patriotin e tij si lojtarin ideal për ekipin e Solskjaer. Fjala e fundit ju takon drejtuesve…