Të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë i kanë rinisur përgatitjet e tyre për gjysmën e dytë të këtij sezoni, ku pjesa më e madhe e tyre në këto dy javë të muajit janar 2019 kanë patur lëvizje në merkato, si dhe kanë zhvilluar ndeshje miqësore. Por në këtë hapësirë, problematika më e madhe duket te skuadra e Ilirisë së Fushë Krujës, e cila ende nuk ka një organizim të saktë në këto përgatitje dimërore, ndërkohë që luan në Grupin A dhe në 14 javë renditet në vendin e 8-të me 15 pikë, në zonën e mbijetesës.
Duket një pit-stop i kësaj skuadre, ku problemet financiare i kanë kushtëzuar mungesën e përgatitjeve sistematike, njëherësh edhe me largime, ku zyrtarisht portieri Elson Demi ka deklaruar divorcin, por edhe Turkaj me Boccin nuk kanë dalë në stëvitje pa marrë pagesat e prapambetura. Dhe te Iliria ende nuk bëhen të gjallë zyrtarisht, ndoshta e kanë lënë të jenë surpriza në pjesën e mbetur të kampionatit në Kategorinë e Parë.
Ndërsa te skuadrat e tjera të kësaj kategorie, java e kaluar u mbyll me ndeshje miqësore dhe me prezantime të reja në merkato, ku dy kryesueset e grupeve, Vllaznia në Grupin A dhe Bylisi në Grupin B janë treguar më aktivë në treguesit e kësaj periudhe dimërore. Te shkodranët janë afruar Paulin Ndoja si zëvendëstrajner dhe futbollistët Senad Hysenaj e Arsid Kruja, ndërsa te ballshiotët, Ardit Jaupaj, Eri Lamçja dhe Mustafa Xhixhua bëjnë diferencën, në tentativë edhe me mesfushorin Serxhio Ujka.
Duke ju referuar merkatos që skuadrat e Kategorisë së Parë kanë bërë gjatë muajit janar, Vora në Grupin A dhe Apolonia në Grupin B mbeten më aktive në numrin e largimeve dhe në afrime, por te fierakët vetëm Nderim Jashari mund të konfirmohet. Ndërsa te skuadrat e tjera si Besa dhe Egnatia, janë më konkrete në lëvizjet e tyre, e po kështu Erzeni e Besëlidhja. SportEkspres.com veçon si dukuri në këto lëvizje, faktin se skuadrat po zhvillojnë merkato edhe me drejtues teknikë dhe me trajnerë, dhe deri më 15 janar numërohen 12 lëvizje të tilla.
AGRON KAJA